Lokale - eSIMy

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Shkrimi i plotë më poshtë:

Sot u bënë 11 vite rrugëtim nga dita kur ëndrrat, shpresat dhe pritjet tona u përmbushën me lindjen e Republikës së Kosovës, si shtet sovran dhe demokratik. 17 Shkurti i 2008-ës, neve si popull por edhe hartës politike të botës, i dha Republikën e Kosovës, shtet i ngritur nga sakrifica, devotshmëria dhe besimi në të drejtën tonë të pa mohueshme për liri, pavarësi dhe shtet formim.

Përgjatë këtyre 11 viteve, kemi rrugëtuar bashkërisht mes sfidave dhe ja kemi dalë që të vendosim themelet e shëndosha të demokracisë, zhvillimit dhe orientimit tonë shoqëror, si pjesë e pa ndashme e vlerave demokratike e perëndimore. Mësimet e dekadës së parë të shtetësisë, do na shërbejnë në dekadën e dytë, për t’i fuqizuar këto vlera dhe për ta ngritur qytetarin e Republikës, në rangun që atij i takon me të drejtë, ku mirëqenia, zhvillimi, integrimi dhe progresi do jenë gjuha që definon vizionin dhe angazhimin tonë drejt së ardhmes.

Kursi historik i ngritjes dhe zhvillimit të mëtejmë të Republikës së Kosovës është i pandalshëm dhe asnjë pengesë nuk do mund të matet me vullnetin tonë për ta vulosur këtë kurs, bashkë me aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Si Ministër i Drejtësisë dhe si bashkëqytetar i juaji, më lejoni të ju uroj Ditën e Pavarësisë, duke ju uruar një festë të begatë dhe të dinjitetshme. Përgjithmonë mirënjohës për sakrificën e atyre që dhanë më të shtrenjtën për ta bërë ëndrrën tonë, një realitet të prekshëm, në të cilin ne dhe brezat e ardhshëm do frymojmë të lirë.