Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë sot se NATO po e diskuton angazhimin e saj lidhur me ndihmën dhe vendimin për bashkëpunim me FSK-në pas vendimit për transformimin në Ushtri të Kosovës.
Stoltenberg theksoi se vendimi për këtë do të merret në pranverë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka folur sërish për taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe.
Ai tha se vendosja e taksës ka vështirësuar dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, shumë anëtarë të NATO-s po kërkojnë heqjen e taksës.
Ndryshe, Samiti i Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s ka filluar sot punimet, ku është diskutuar për Kosovën dhe FSK-në.
“Do të diskutojmë për misionin e trupave të KFOR-it që vazhdojnë të japin kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor. Do të diskutojmë edhe për nivelin e bashkëpunimit me FSK-në, dhe me këtë e konsideroj të hapur sesionin”, ka deklaruar Stoltenberg në hapjen e sesionit.






