Lokale - eSIMy

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i shtetit këtu tha se

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë, paqe dhe stabilitet në rajon dhe do të ketë rol transformues në shoqërinë tone.Nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte. Qëllimi kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Ai shtoi se

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me Shtetet e Bashkuara, ka dal fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”.

Në këtë bashkë bisedim Thaçi mori edhe pyetje nga audienca.

Ishte diplomati James Pardew ai që pyeti rreth korrigjimit të kufirit.

I pari i shtetit të Kosovës në përgjigjen e tij theksoi se

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë  dhe shtoi se kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme .Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, njofton Presidenca e Kosovës.

Pjesëmarrësit e tjerë kanë pyetur edhe për zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë, për të cilat presidenti Thaçi theksoi se janë storie të suksesshme, por se vazhdimi i suksesshëm i tyre varet nga krijimi i stabilitetit politik.

“Prandaj na nevojitet marrëveshja e përhershme e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t’i hapë rrugë reformave, zhvillimit dhe transformimit pozitiv të tërë shoqërisë”, përfundoi presidenti Thaçi.