Lokale - eSIMy

Ministri i Minierave dhe Energjisë në Serbi, Aleksandar Antiq ka thënë se vendi i tij nuk do të lejojë konfiskimin e pronës që i takon, gjë për të cilën sipas tij, po punojnë autoritetet në Kosovë.

Antiq ka thënë sot se Serbia është pronare e ‘Trepçës’ dhe ky fakt duhet respektuar në gjithë botën.

“Bisedimet për Trepçën nuk mund të kryhen pa pjesëmarrjen e Qeverisë së Serbisë. Që nga fillimi i dialogut me Prishtinën ne kemi hapur çështjen e pronës dhe presidenti Vuçiq personalisht e vuri këtë çështje në tryezë por bisedimet për u shtynë përgjithmonë”, është shprehur ai, përcjell lajmi.net.

Ministri serb ka theksuar se Prishtina në mënyrë të paligjshme po tenton të marrë ‘Trepçën’ dhe kjo mund të ketë pasoja.

“Serbia do vazhdojë të këmbëngul se kjo pronë të diskutohet përmes dialogut dhe do të kujdeset për serbët që punojnë në këtë minierë si dhe për biznesin dhe zhvillimin e saj”, ka shtuar Antiq.

Në fund ai ka thënë se e mirëpresin të qetë çdo diskutim lidhur me këtë çështje.

Kujtojmë se gjatë seancës së kaluar Kuvendi i Kosovës votoi draft-statutin e ‘Trepçës’, me 80 vota pro.