Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është ndarë shumë i kënaqur me miratimin e Ligjit për Pagat.
Projektligji për Pagat sot u miratua me 62 vota pro, asnjë kundër e një abstenim, transmeton Koha.net.
“Ditë historike për punonjësit në sektorin publik. Sot për herë të parë Kosova u bë me Ligjin e Pagave që vendos rregull në sistemin e pagave dhe rreth 70 për qind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre”, ka shkruar Haradinaj.
Ai më tutje ka shtuar se, “poashtu, me kalimin e pakos së ligjeve për administratën shtetërore dhe për zyrtarët publik Kosova ka shënuar një arritje të madhe, duke përmbyllur një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendës së Reformave Europiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim”.
Haradinaj ka thënë se përmbyllja e kësaj kornize ligjore e përafron Kosovën me Bashkimin Evropian.
“Falënderoj deputetët për përmbylljen e kornizës ligjore, që konsiderohet si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij që i jep vendit qeverisje të mire, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, si dhe përafron Kosovën me Bashkimin Europian”, ka thënë Haradinaj.






