Lokale - eSIMy

Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu i kushtëzuar është çdo gjë tjetër, por jo dialog që sjell marrëveshje të respektuar.

Arifi, ka theksuar se ani pse Kosova doli e përgjakur nga lufta, ajo asnjëherë nuk e kushtëzoi dialogun.

“Kosova pavarësisht se nga lufta doli e përgjakur dhe e lënduar kurrë nuk kushtëzoj dialogun. Kosova nuk e kushtëzoj dialogun. – as kur askush në Serbi nuk u dënua për 13.000 Shqiptarët e vrarë, – as për 20.000 Shqiptaret e përdhunuara, – as për 130.000 shtëpitë e djegura, e as për 1000.000 Shqiptarët e dëbuar dhe as për torturimin e 550000 shqiptarëve në periudhën 1981-1997 (burimi amnesty I). Askush nuk u dënua dhe askush nuk kërkoj falje për këto dhe shumë akte dhe politika makabër dhe pastër krime kundër njerëzimit”, ka shkruar Arifi në rrjetin social Facebook.

Arifi e ka quajtur akt të habitshëm mirëkuptimin e Serbisë kur e kushtëzon dialogun për shkak të tarifave.

“Të kushtëzohet sot dialogu nga ana e Serbisë për shkak të tarifave dhe mirëkuptimi potencial i kujtëdo për këtë kushtëzim është akt i habitshëm dhe pa pikë etike. Dialogu i kushtëzuar është çdo gjë por jo dialog që sjell marrëveshje të respektuar”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Presidenti, Hashim Thaçi më në fund e ka dekretuar Avni Arifin si ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.