Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se koalicioni PAN është duke e kolapsuar Kosovën.
“Po mbushen tre javë me shkolla e fakultete te mbyllura, e këta vazhdojnë të bëjnë pazare. Mijëra pacient presin për tu operuar, ndërkaq kirurgët vazhdojnë grevën. Të pakënaqur me paga shprehen edhe gazetarët e RTK-së, doganierët, infermierët, punonjësit e shërbimit korrektues”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.
Ai tha se PSD-ja është duke e shantazhuar Qeverinë me Ligjin për paga, Ligjin për dialogun, shkarkime e ngarkime, sipas tij ashtu kishte shantazhuar edhe Lista Serbe.
“Po hyjmë në muajin e tretë, që katër komuna në veri nuk e pranojnë sovranitetin shtetëror. Ky koalicion dështoi në liberalizimin e vizave, në anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dështoi me kontratën e Kosovës së Re, sepse u tërhoq financuesi kryesor – Banka Botërore, po e shkatërron Telekomin me punësime partiake sikurse edhe ndërmarrjet e tjera publike”, tha Mustafa.
Kryetari i LDK-së tha se ky është koalicioni me Qeverinë me 1/3 e ministrave me aktakuza me mbi 80 zëvendësministra;
“Ky koalicion ia humbi Kosovës 13 njohje. Korrupsioni, sipas matjeve ndërkombëtare është në rritje;
Marrëdhëniet me SHBA dhe BE janë përkeqësuar. E gjithë kjo nuk habitë”.
“Janë këta të njëjtit që për dy vite e gjysmë e kallën Kosovën, erdhën në pushtet me dhunë; kundërshtuan Marrëveshjen për demarkacionin deri sa erdhën në pushtet; janë të njëjtit që organizuan anulimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk arritën, në dhjetor të vitit 2017 dhe që nuk mërziteshin as për BE-në e as për SHBA-të”.
“Kosova nuk duhet t’ia besoj edhe më tutje këtij koalicioni qeverisjen e vendit; nuk duhet t’ia besoj dialogun për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit…
Qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën”, ka shkruar Mustafa më tej.






