Me rastin e 22 vjetorit të rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe komandanti i Ushtrisë, gjenerallejtënant Rrahman Rama, së bashku me një delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, kanë bërë homazhe dhe vendosën kurora lulesh të freskëta tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.
Me këtë rast, Berisha tha se në emrat e këtyre heronjve gërshetohen vlerat më të mira të kombit tonë.
“Në kalendarin e datave të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, 31 janari i vitit 1997, hyri me emrat e tre komandantëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës“.
“Në emrat e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, gërshetohen vlerat më të mira të kombit tonë, dashuria për atdheun, shpirti i kulluar liridashës, trimëria dhe gatishmëria për të luftuar deri në frymën e fundit për idealin e lirisë“, shkruhet në komunikatën e dërguar nga kjo ministri.






