Mesfushori gjerman Toni Kroos e ka pranuar se paraqitjet e dobëta të Real Madridit në pjesën e parë të sezonit kanë bërë që skuadra të lëshojë shumë pikë në luftë për titull.
Kroos, megjithatë, këmbëngul se beson në Madridin, siç kishte bërë edhe sezonin e kaluar kur e fituan Ligën e Kampionëve për herë të tretë më radhë, përkundër paraqitjeve tejet të dobëta në La Liga, transmeton gazeta Express.
“Është e vërtetë që kishim disa probleme në fillim dhe se kemi lëshuar shumë pikë në ligë në pjesën e parë të sezonit, por kjo mbetet në të kaluarën”, tha Kroos për Die Welt.
“Gjithmonë e kam ditur, vitet e fundit thjesht më kanë dhënë vetëbesimin se ne e kemi një ekip superior dhe se nuk ka që na ndal”, shtoi ai.
“Çdo fitore i jep tërë ekipit vetëbesim dhe ne nuk e ndalim punën, edhe kur gjërat nuk ishin kështu”, theksoi ai.






