Lokale - eSIMy

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një konferencë për media kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku është shprehur optimist se liberalizimi mund të ndodhë në muajin qershor të këtij viti, por siç tha ai, ‘më e udhës është të mos jepen premtime’.

“Qershori është opsional për vizat por jemi marrë vesh mos me folë shumë, por pritet që në atë kohë. Gjendja është krejt tjetër pas qëndrimit të Berlinit zyrtar. Qershori është real”, ka thënë ai.

Nuk është hera e parë që kryeministri, ashtu si edhe shumë akterë tjerë politik japin premtimet për vizat.

Ishte viti 2018 ku u premtua vazhdimisht, se të paktën deri në fund të atij viti, Kosova do të liberalizohej. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Miqtë ndërkombëtarë vazhdimisht kërkonin që liderët në Kosovë mos të japin afate për liberalizim vizash dhe të mos premtojnë qytetarët për data kur ata do të lëvizin lirshëm.

Kryeministri, edhe pse thotë se janë marrë vesh për të mos dhënë premtime, ai përsëri thotë se qershor mund të jetë muaji kur liberalizohemi.