Lokale - eSIMy

Mediat angleze raportojnë se Barcelona e ka shprehur interesimin për mesfushorin e Manchester Unitedit, Juan Matën. Klubi katalonas po tenton ta bindë spanjollin të mos e rinovojë kontratën me klubin, pasi që dëshiron ta marrë atë si transferim të lirë.
Mesfushori spanjoll nuk është ndër lojtarët e preferuar të trajnerit të ri të Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, pasi që norvegjezi preferon ta shfrytëzojë shpejtësinë e sulmuesve të tjerë anësorë në skuadrën e tij, transmeton Gazeta Express.

Kontrata e Matës me Barcelonën përfundon këtë verë dhe tani ai është bërë njëri ndër lojtarët që po kërkohen nga Barcelona. Klubi katalonas është duke tentuar ta nënshkruajë një marrëveshje paraprakisht me spanjollin.

Sipas uebsajtit ndërkombëtar të futbollit, Goal.com, gjiganti katalonas tashmë veçse i ka kontaktuar përfaqësuesit e Matës. Interesimi i Barcelonës për ish-lojtarin e Chelseat dhe Valencias besohet të jetë shumë serioz.

Për transferimin e Matës janë të interesuara edhe disa klube të tjera evropiane, si Juventusi dhe Paris Saint-Germaini. Megjithatë, të gjitha këto klube e dëshirojnë Matën në skuadër vetëm në rast se ai nuk nënshkruan kontratë të re me “Djajtë e kuq”.

Manchester Unitedi tani është në bisedime me Matën për rinovimin e kontratës, megjithatë deri më tani këto negociata kanë rezultuar të jenë të pasuksesshme pasi që mes dy palëve nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Tani Mata është i lirë të negociojë me klube jashtë Anglisë për të kaluar si transferim i lirë gjatë afatit kalimtar të verës. Fillimisht, kontrata e Matës do të duhej të kishte përfunduar gjatë verës së kaluar, mirëpo “Djajtë e kuq” e aktivizuan një klauzolë në kontratën e tij për ta mbajtur spanjollin edhe për një vit më shumë.

Mata u transferua nga Chelsea në Manchester United në janar të vitit 2014 dhe, gjatë kësaj kohe, i ka bërë 208 paraqitje për klubin e tij. Në pesë vjetët e tij në Old Trafford, Mata i ka shënuar 44 gola dhe i ka asistuar 35 të tjera.