Një 45-vjeçare ka vdekur të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ky rast po trajtohet si “Vdekje e Dyshimtë” nga Policia, pasi familjarët dyshojnë se terapia që mori një ditë më parë në Istog ka shkaktuar vdekjen e saj.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Në stacionin policor të Jugut të hënën në ora 7 të mëngjesit, është hapur një rast “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Mjekësi Ligjore. Nuk mund të japim më shumë informacione derisa nuk kemi një raport nga Mjekësia Ligjore”, tha Ahmeti.
Denoncimin e rastit e kanë bërë të afërmit e 45-vjeçares, të cilët dyshojnë se vdekja ishte pasojë e tretmanit jo të mirë mjekësor që iu bë familjares së tyre.
Mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente të Istogut, Kadri Seferaj, ishte ai i cili e trajtoi të dielën gjatë ditës, 45-vjeçaren tashmë të ndjerë.
Seferaj tha se pacientja në fjalë është trajtuar njësoj si të tjerët në Qendrën Emergjente në Istog.
“Gjatë ditës së diel kam qenë kujdestar prej orës 7 në mëngjes deri në 19 në mbrëmje. Prej shumë pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor, edhe pacientja që tashmë qenka e ndjerë, ka ardhur në Qendrën Emergjente në Istog në gjendje jo të mirë si pasojë e gripit dhe hipertension i shkallës së lehtë. Ka marrë tretman në Qendrën Emergjentë në Istog, është përmirësuar gjendja, ka marrë injeksion dhe infuzion, ka qëndruar përafërsisht një orë, pastaj gjendja ka filluar t’i përmirësohet. Ajo ka qenë me shoqërues dhe është liruar për shtëpi. Më shumë nuk di, janë të gjitha të protokolluara në Emergjencë”, tha Seferaj për gazetën inFokus.
Thuhet se pasi gjendja e pacientes u përkeqësua derisa ishte në shtëpi, ajo u dërgua në Spitalin Rajonal të Pejës ku u konstatua se 45-vjeçarja nga Istogu ka pasur alergji në injeksionin e marrë dhe e kanë drejtuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mjeku i Spitalit Rajonal të Pejës, Demë Nikçi, ka pranuar se ka trajtuar pacienten në fjalë, por nuk pranoi të japë detaje në lidhje me rastin.
“Informacionin e duhur ua kam dhënë organeve kompetente. Kam folur me Policinë e Kosovës dhe nuk dua të prononcohem për askënd tjetër”, tha Nikçi.
Aktualisht trupi i pajetë i 45-vjeçares gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku edhe po hetohen shkaqet që çuan në vdekjen e saj.
Edhe prokuroria edhe policia po presin raportin e këtij instituti që të nisin procedurat tjera hetimore.






