Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se me draft Kodin e Procedurës Penale do të rritet efikasiteti në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ai këto komente i ka bërë në konferencën e mbajtur për media, duke shtuar se në kodin e ri, është dyfishuar koha e paraparë për hetimin penal, nga dy, në katër vite, transmeton Klan Kosova.
Sipas tij, ka qenë e nevojshme që të zgjatet koha e paraparë për hetim penal pasi që periudha dy vjeçare nuk ka mjaftuar për t’i hetuar personat që i shmangen drejtësisë apo që jetojnë jashtë vendit.
Ministri Tahiri gjithashtu ka shtuar se ky kod është punuar në bashkëpunim me ekspertët europianë dhe se është në përputhje me 12 kodet e Bashkimit Europian.
“Nenet e tyre janë hartuar dhe reformuar me procedurën më të mirë ligjore dhe gjyqësore evropiane. Është i harmonizuar me 12 kodet e Bashkimit Evropian”,
“Me këtë kod ne po rrisim efikasitetin në luftën kundër Korrupsionit, pavarësisht se kush është i akuzuar. Me ndryshimet e bëra hedhja e kallëzimeve penale do të bëhet vetëm më shkrim”,
Tahiri ka theksuar se me ndryshimet e bëra në Kod do të mundësohet gjykimi në mungesë dhe kjo do të vlejë për të gjitha rastet duke përfshirë edhe krimet e luftës.