Ylli i Chelseat, Eden Hazard e ka lartësuar Lionel Messin si futbollistin më të mirë të të gjitha kohëve, duke insistuar se të tjerët nuk i afrohen nivelit të argjentinasit.
Argjentinasi, bashkë me yllin e Juventusit Cristiano Ronaldon, e ka dominuar lojën e futbollit në dekadën e fundit, duke thyer rekorde të panumërta me klubin e tij, derisa po ashtu është bërë futbollisti i parë që i fiton pesë Topa të Artë, transmeton Gazeta Express.
Debati i vazhdueshëm Messi apo Ronaldo ka qenë zënka e përhershme e tifozëve të futbollit, të cilët kanë qenë të ndarë rreth pyetjes së cili prej tyre është më i miri i të gjitha kohëve.
Por, për Hazardin, një gjë e tillë është shumë e qartë. Belgu beson se Messi është i vetmi futbollist me të drejtë legjitime për këtë titull.
“Dy G.O.A.T.s (Më i Miri i të Gjitha Kohëve) thoni ju? Nuk ka shanse. Ekziston vetëm një G.O.A.T: Është ai: Lionel Messi!”, ka thënë Hazard.
Po ashtu, Hazard e ka pranuar se nuk e kishte shijuar aspak takimin me Barcelonën në vitin 2018, kur Chelsea ishte eliminuar nga Luga e Kampionëve si pasojë e madhërisë së Messit.
“Ato dy ndeshje ndaj Barcelonës nuk janë ndër kujtimet e mia më të mira nga viti 2018. Isha i lumtur që luajta kundër Barcelonës dhe Messit, por nuk i përmbusha pritjet e mia. U zhgënjeva”, tha ai.
“Tre djemtë e mi ishin të pranishëm në ndeshjen që u luajt në ‘Stamford Bridge’. I madhi është tifoz i madh i Messit – në fakt të gjithë ne jemi tifozë të Messit. Ai deshi ta shohë Messin atë ditë, sepse Messi është i veçantë”, shtoi ai.






