Lojtari 160 milionë eurosh i Barcelonës, Philippe Coutinho, supozohej të ishte pjesa e fundit në mozaikun që ishte duke e ndërtuar klubi katalonas. Braziliani u transferua në Camp Nou nga Liverpooli për ta nisur sfidën më të madhe në karrierën e tij.
Andres Iniesta do të largohej së shpejti nga klubi dhe Coutinho pritej të bëhej lojtari që mund t’i drejtonte djelmoshat e Ernesto Valverdes në të ardhmen. Por, deri më tani, përveç disa momenteve brilante, ai ka dështuar të përshtatet në skuadrën e tij të re, shkruan Goal.com, transmeton Gazeta Express.
Aq ishin të larta pritshmëritë të tij, saqë vetëm 12 muaj pas transferimit të tij, ai po konsiderohet si një transferim i dështuar. Për këtë arsye, mediat spanjolle dhe ato angleze tashmë kanë filluar të spekulojnë për të ardhmen e tij, duke raportuar se ai është afër transferimit në Manchester United.
Edhe pse vetëm disa javë më parë, mundësia e transferimit të Coutinhos te rivali i ish-klubit të tij, Liverpoolit, do të kishte tingëlluar qesharake, tani mediat botërore po raportojnë se ky transferim mund të ndodhë qysh tani, në afatin kalimtar të janarit.
Mirëpo, tani për tani, përvjetori i tij i parë vjen në një kohë të shumë pasigurive pasi që ai e ka humbur vendin në formacionin e parë të trajnerit Ernesto Valverde. Lojtari i dytë më i shtrenjtë në klub, Ousmane Dembele e ka zënë vendin e tij, përkrah Lionel Messit dhe Luis Suarezit.
Ka pasur disa përpjekje për ta futur ish-yllin e Liverpooli në mesfushë, ku ai e ka lirinë ta drejtojë ndeshjen, mirëpo në vend të këtij opsioni, Valverde ka preferuar të luaj me më shumë stabilitet, duke i zgjedhur Arturo Vidalin, Ivan Rakiticin e Sergio Busquets në qendër të fushës.
Gjatë vitit të tij të parë në Katalonjë, braziliani ka luajtur në 44 ndeshje, duke i shënuar 15 gola dhe duke i bërë 10 asiste. Megjithatë, tifozët mendojnë se ai mund të bëjë edhe më shumë, edhe sa i përket goditjeve pasi që ai ka një mesatare prej një goditje për ndeshje.