Lokale - eSIMy

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka vizituar gjatë ditës familjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova për ta uruar për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe festat e fundvitit.

“Sot vizitova familjen e presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilën e urova për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit. Trashëgimia shtetformuese e presidentit Rugova dhe vlerat që ka përfaqësuar ai do të jenë udhërrëfyes edhe në fazën përfundimtare të konsolidimit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

I pari i vendit ka thënë se “mesazhet e përhershme për dialog, bashkëpunim e unitet të brendshëm duhet të jenë parimet bazë të veprimit të gjithë spektrit politik, bashkë me partneritetin dhe besimin tek SHBA-ja dhe partnerët evropianë”.

“Besoj që këto vlera e parime do të respektohen nga të gjithë edhe në këtë fazë përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.