KEDS-i është duke vazhduar me reduktime në Komunën e Podujevës, por jo vetëm, shkruan Llapi.info
Fshatrat, Shajkoc, Sfeçël, Lladoc, Balloc, Surkish, Dumosh, Herticë, Surdull, Turiqicë e Rakinicë të Podujevës, kanë mbetur pa energji elektrike tash e 15 orë.
Banorët për Llapi.info janë shprehur të indinjuar me mungesën e energjisë elektrike me orare të gjatë tani edhe në këto ditë të ftohta, derisa ende nuk dihen arsyet e reduktimeve.
Ndryshe, për reduktime të shumta ndaj KEDS-it kanë reaguar edhe krerët e shtetit, derisa ditë më parë ka pasur edhe protesta në qytete tjera të Kosovës.
Për mungesë të rrymës, në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi pati thënë se Qeveria më nuk do të pranojë arsyetime të kota nga KEDS.
Arifi ka shkruar se do t’i vihet fundit praktikave të papërgjegjshmërisë.
“Sot ka qenë vështirë të jesh qytetarë i Fushë Kosovës dhe Therandës. Në ditë të ftoftë gati Siberike me orë të tëra pa energji elektrike në vitin 2018 është e patolerueshme dhe e padurueshme. Është arritë nivel ku Qeveria nuk do të pajtohet më me raporte të arsyetimeve të kota për rënie blloqesh, mbingarkime apo renovime të “planifikuara” në pikë të dimrit. Në mënyrë të pakompromis do të i vihet fundi praktikave të marra të papërgjegjshmërisë e në të cilat viktimë janë qytetarët. Mjaft është Mjaft”, ka shkruar Arifi./Llapi.info