Fshati Brainë gjendet rreth 30 kilometra larg qytetit të Podujevës.
Ky fshat kryesisht malor, shkëmbinj me formë të ndryshme, bjeshkë të larta e natyrë mbresëlënëse janë disa elemente që e bëjnë karakteristike këtë vend që ka lashtësi të vjetër, shkruan Llapi.info
Në këtë fshat gjendet edhe xhamia e cila mendohet të jetë e vjetër rreth pesë shekuj. E njëjta tani është futur në listën e trashëgimisë kulturore.
Sipas një vendimi të lëshuar nga Ministria e Kulturës, thuhet se kjo xhami është në mbrojtje të përkohshme të miratuar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë duke u bazuar në Ligjin Nr. 02/L-88 për Trashëgimi Kulturore dhe mbështetur nën Nenin 14, paragrafi 2.5 të Rregullores Nr.06/2017, Për Caktimin e Institucioneve Publike të Trashëgimisë Kulturore, Vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Cilësinë e Institucionit Kompetent, njofton, Ju si pronarë posedues dhe shfrytëzues të asetit të Trashëgimisë Kulturore që ndërtesa:
Xhamia e Brainës, Brainë – Podujevë,
Është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme të miratuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vendimi nr. 110/2018, datë 03.10.2018, me numër unik 3204 dhe numër rendor 1078.”, thuhet në vendim, transmeton Llapi.info
“Çdo investim me qëllim konservimi dhe restaurimi në trashëgiminë kulturore të mbrojtur, nga personat juridikë, fizikë, shumat e të cilave janë të konfirmuara dhe aprovuara nga institucionet kompetent, lirohet nga detyrimi për tatim në të hyra deri në vlerën e shumës së investuar nëse kjo nuk është e rregulluar ndryshme me ndonjë ligj tjetër në fuqi”, thuhet pos tjerash në informacionet për përparësi e asetit të trashëgimisë kulturore.
Futjen në listën e trashëgimisë kulturore e ka mirëpritur edhe imami i kësaj xhamie, Mustafë Hajdini.
Ndryshe, kjo xhami ka shërbyer edhe si mejtep apo shkollë të cilën kishte themeluar Mulla Mustafë Braina, derisa pranë kësaj xhamie është ndërtuar edhe lapidari për ushtarët e vrarë të këtij fshati nga lufta e fundit në Kosovë./Llapi.info








