Ka vdekur edhe personi i pestë që u plagos gjatë sulmit në një treg të Krishtlindjeve në Strasburg.
Zyra e Prokurorit e konfirmoi të dielën se viktima Barto Pedro Orent-Niedzielski ishte me kombësi polake, njofton Klan Kosova.
“Vëllai im Barto Pedro Orent-Niedzielski sapo ndërroi jetë. Ju falënderoj për dashurinë dhe forcën që ia dhatë atij”, ka shkruar në Facebook vëllai i viktimës nga Polonia.
Me një armë dhe një thikë 29 vjeçari, Cherif Chekatt,sulmoi blerësit para se të vritej nga policia pas dy ditëve.
Orent-Niedzielski dhe shoku i tij italian Antonio Megalizzi kanë provuar ta ndalin Chekkat të hyjë në një bar gjatë sulmit, tha një shok i afërt i tyre për agjencinë e lajmeve AFP.
Megalizzi, 28 vjeçar vdiq nga plagët e marra të premten.
Ndërsa polaku Orent-Niedzielski ka jetuar në Strasburg për 20 vjet me radhë.
Ministria e Jashtme e Polonisë ka shprehur ngushëllime përmes Twitter.
Njëmbëdhjetë njerëz u plagosën gjithashtu në sulmin e së martës dhe disa prej tyre mbetën në një gjendje kritike.
Viktimat e sulmit ishin nga vende të ndryshme. Një nga të vdekurit ishte turist nga Tajlanda. Një tjetër ishte një gazetar italian që po mbulonte ngjarjet e Parlamentit Evropian me seli në Strasburg.






