I pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur debatin e dytë publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për ecurinë e realizimit të projekteve në investimet kapitale për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019, raporton Llapi.info
Në këtë debat, Ardi Hasani, një qytetar iu drejtua Veliut se kush duhet të jap përgjegjësi për humbjen, siç e quan ai, e rreth 200 mijë eurove në asfaltimin e rrugës së qendrës në Podujevë “Zahir Pajaziti” vitin e kaluar, e që tani e njëjta është prishur dhe prerë në të dyja anët.
Mirëpo, i njëjti nuk mori përgjigje pasi që i pari i Podujevës, Agim Veliu u përgjigj në disa pyetje, por jo edhe në këtë kështu duke u larguar edhe nga debati publik të thirrur nga vetë ai, e që ngjalli reagime për mos përgjigje nga ai dhe drejtorët komunalë.
Ndryshe, shtresa e re e asfaltit e vendosur në rrugën kryesore të qytetit “Zahir Pajaziti” ishte bërë vitin e kaluar pa vendim të Kuvendit Komunal, pasi për të njëjtën rrugë ishte paraparë zgjerimi, ndërtimi i gjithë infrastrukturës përcjellëse dhe pastaj asfaltimi për njërën pjesë të saj, ndërsa për pjesën tjetër të qendrës ndërtimi i bulevardit. Mirëpo, mjetet e parapara ishin rialokuar.
Ndërsa, tani kjo rrugë është prerë në të dyja anët kështu duke vendosur edhe kubëzat, derisa për këtë rrugë nuk janë ndjekur as procedurat ligjore. Ekzekutivi e kishte anashkaluar tërësisht Kuvendin Komunal kur e kishte “ndërruar” projektin që ishte paraparë për këtë rrugë si: zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi me tërë infrastrukturën përcjellëse dhe kishte vendosur që ta “kompensojë” me një shtresë asfalt.
Edhe pse u ndanë rreth 130 mijë euro për riasfaltimin e kësaj rruge, sivjet ajo është prishur. E, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu më 6 nëntor të vitit 2017, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, kishte thënë se kjo rrugë nuk do të prishet sivjet, e që në fakt tani ajo është prerë.
“Rruga e qendrës nuk do të prishet, nuk do të prishet”, pati thënë ai.
Kujtojmë, kjo rrugë është ri-shtresuar vitin e kaluar gjatë kohës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale./Llapi.info






