Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim publik me qytetarë, lidhur me ecurinë për realizimin e projekteve kapitale për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019, njofton Llapi.info
Në takimin publik, ku ishin të pranishëm edhe drejtorët komunalë, Veliu tha Spitali i Qytetit të Podujevës është funksional.
“…Tashmë ka filluar funksionalizimi i Spitalit të Qytetit dhe besojmë se së shpejti, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës [SHSKUK], do t’i funksionalizojmë edhe repartet e tjera të spitalit”, ka thënë Veliu.
Mirëpo, në fakt deri më tani është përfunduar objekti, por jo edhe fillimi i punës, derisa në këtë objekt është bartur vetëm reparti i Maternitetit nga QKMF-ja.
Mosfunksionalizimin e Spitalit, opozitarët e kanë quajtur si mashtrim. Sipas tyre, Spitali jofunksional po paraqet problem për qytetarët llapjanë.
“LDK ka menaxhuar me komunën tonë e po ashtu edhe me Ministrinë e Shëndetësisë përgjatë kësaj kohe, ndërsa spitali vazhdon të jetë jofunksional edhe pse qeveria lokale ka tentuar ta mashtroj opinionin se ka filluar funksionalizimin e tij, e në të vërtetë aty vetëm është bartur shërbimi i Maternitetit, shërbim i cili ekziston qysh moti. Kjo bie në kundërshtim me qëndrimin e tanishëm të qeverisjes komunale se kjo përgjegjësi nuk u takon atyre. Pra, komuna po bën lojë të dyfishtë në dëm të qytetarëve të komunës sonë”, pati thënë këshilltari Vendenis Lahu nga VV.
Ndërsa, Shefi i GK të PDK-së në Podujevë, Rafet Llapashtica, ka thënë se si mungesë e fillimit të punës, qytetarët janë të detyruar t’iu drejtohen klinikave tjera.
“Ky është edhe një nga dështimet e radhës të qeverisjes lokale të LDK-së të udhëhequr nga kryetari Veliu në Podujevë. Ky projekt është dashur të kryhet në vitin 2017, por kjo s’ka ndodhur. Mos aftësia profesionale dhe neglizhenca e mosangazhimit për këtë çështje sot Podujeva nuk ka spitalin e qytetit”, pati thënë për Llapi.info Llapashtica.
Ndryshe, fillimi i punës ishte premtuar në vitin 2017, por tani në përfundim të vitit 2018 qytetarët nuk mund t’i marrin shërbimet dytësore në këtë spital./Llapi.info






