Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim publik me qytetarë, lidhur me ecurinë për realizimin e projekteve kapitale për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019, njofton Llapi.info

Mirëpo, edhe pse e ka thirrur vetë takimin publik, Veliu pa përfunduar debati u largua nga salla e Kuvendit, e që ngriti tensione për parashtruesit e pyetjeve për problemet me të cilat ballafaqohen.

Në takimin publik, ku ishin të pranishëm edhe drejtorët komunalë, Veliu tha se Komuna e Podujevës për këtë vit buxhetor ka planifikuar investime në projekte të ndryshme, në bazë të buxhetit të miratuar në Kuvend.

“Buxheti i Komunës për këtë vit është 20,953,255 euro, prej të cilave për investime kapitale janë 6,489,514 euro, kurse për subvencione kemi një buxhet prej 568,883 euro. Ndërsa, në kuadër të mjeteve që kemi në dispozicion është bërë edhe planifikimi dhe miratimi i projekteve për këtë vit kalendarik”, tha fillimisht Veliu.

I pari i Podujevës, më tej ka theksuar se deri më tani në Komunën e Podujevës janë asfaltuar 90 për qind e rrugëve.

“Në kuadër të investimeve janë asfaltuar 90 për qind e rrugëve. Tashmë është asfaltuar dhe po vazhdojnë punimet në rrugën te lumi Llap si unazë e brendshme, rrugë kjo e cila i paraprinë ndërtimit të Bulevardit të Dëshmorëve. Kemi përfunduar ndërtimin e kolektorëve”, tha Veliu.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha ka thënë se rrugët janë asfaltuar në pjesën dërmuese të fshatrave.

“Asfaltimi veçse është kryer në pjesën dërmuese të fshatrave, si në Bajçinë, Bradash, Peran, Shtedim e fshatra tjera. Ndërsa, në qytet ka filluar rregullimi i rrugës “Zahir Pajaziti”, e cila do të bëhet me 3 korsi. Në këtë rrugë do të bëhet e gjithë infrastruktura përcjellëse, do të largohen të gjitha shtyllat elektrike, ndërsa vitin e ardhshëm do të nis edhe projekti i madh për ndërtimin e Bulevardit”, tha Jaha.

Megjithatë, qytetarët nga fshatrat, Lupç i Epërm, Bellopojë, Llapashticë kërkuan nga ekzekutivi që t’iu bëhet një zgjidhje me rrugët e paasfaltuara./Llapi.info