Këshilltari nga radhët e LVV në Podujevë, Bajram Ajeti në seancën e Kuvendit Komunal, ka kritikuar ekzekutivin se në Podujevë vazhdon të jetë gjendja e njëjtë tash e 20 vite, njofton Llapi.info
Sipas Ajetit, në këto 20 vite është punuar vetëm në asfalt, derisa në sektorët tjerë nuk është investuar fare.
Këto kritika Ajeti i ka bërë pasi që drejtori i Urbanizmit në Podujevë, Hamdi Jaha, kërkoi që rruga e cila është duke u ndërtuar skaj lumit Llap, të shpallet në interes publik, edhe përkundër pakënaqësive të banorëve.
“Nuk ka të keqe që ky propozim të miratohet, se është në interes edhe të atyre njerëzve që duhet t’i zhbllokojmë të cilët kanë qenë në qytet, në ferr nuk kanë qenë në qytet”, ka thënë Jaha pasi këshilltarët iu drejtuan se ajo rrugë nuk ka plan urbanistik.
“Që 20 vjet s’ka ndryshime në Llap. Asfalt, mbulo e shpalo, hap vrima e mbyll e i keni arnu rrugët. Ju e keni sjell këtë gjendje që më nuk do ta keni më besimin e popullit. Mos u përpiqeni që me i mashtru edhe këta qytetarë se gjoja kanë qenë në ferr e na me u qesh në selamet. E dinë ata se janë qytetarë të vjetër [Blakçorët]”, ka thënë Bajram Ajeti nga VV për rrugën buzë lumit.
Pas pretendimeve të banorëve se Komuna ka ndërruar fjalët sa i përket shpronësimeve, miratimin e kësaj rruge në interes publik e kanë kundërshtuar edhe këshilltarët nga radhët e PDK-së. Sipas shefit të GK të këtij subjekti, Rafet Llapashtica, ligji në këtë rrugë është shkelur nga ana e Komunës.
“Ku mbet ai kryetar dhe ai drejtor që kurrë nuk u merr me procedurat e shpronësimit. N uk ka ligj në botë që deri të vjen puna me shtru asfaltin me shku atu qysh me e shpronësu. Kjo punë që ka fillu është jashtëligjore. Ti the ka mbet në ferr, më së pakti e ndjej përgjegjës vetën për atë punë si u mbet Podujeva në ferr”, ka thënë Llapashtica.
Ndërsa, banorët e kësaj ane shprehen se i pari i Podujevës, Agim Veliu, u kishte premtuar atyre se nëse lejojnë ndërtimin e kësaj rruge do të jepen leje për ndërtim të ulët, të mesëm dhe të lartë dhe të gjitha taksat komunale do të binin në barrë të administratës komunale. Por, tash kur ka ardhur koha t’i vihet asfalti, sipas banorëve fjalët kanë ndërruar dhe për këtë arsye edhe nuk po lejojnë të asfaltohet rruga, derisa gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe konfrontime mes tyre dhe punëkryesit.
Kujtojmë, kjo pikë e rendit të ditës është miratuar në këtë seancë, me votat e pozitës edhe përkundër pakënaqësive të banorëve./Llapi.info






