Shefi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Haziri, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu, se i ka shkatërruar 200 mijë euro me shtresimin e rrugës “Zahir Pajaziti”, transmeton Llapi.info
Sipas tij, shtresimi i kësaj rruge vitin e kaluar ishte bërë jashtëligjshëm pa vendimin e Kuvendit Komunal për ndërrim projekti.
“Ethet e humbjes të cilat e kishin kapluar kryetarin Veliu gjatë fushatës për zgjedhje lokale në 2017 e kishin shtyrë që të mos zgjedhë rrugë ligjore në shumë projekte, vetëm e vetëm që të rikthente besimin e humbur të qytetarëve. Ndër to ishte edhe shtresimi i rrugës “Zahir Pajaziti” me asfalt. Asfaltimi i kësaj rruge ishte i jashtëligjshëm, pasi nuk kishte vendim të Kuvendit Komunal në Podujevë për ndërrim të projektit”, ka shkruar ndër tjerash ai.
Më poshtë postimi i plotë:
Ethet e humbjes të cilat e kishin kapluar kryetarin Veliu gjatë fushatës për zgjedhje lokale në 2017 e kishin shtyrë që të mos zgjedhë rrugë ligjore në shumë projekte, vetëm e vetëm që të rikthente besimin e humbur të qytetarëve. Ndër to ishte edhe shtresimi i rrugës “Zahir Pajaziti” me asfalt. Asfaltimi i kësaj rruge ishte i jashtëligjshëm, pasi nuk kishte vendim të Kuvendit Komunal në Podujevë për ndërrim të projektit. Se ishte vendim i jashtëligjshëm, këtë e tregon edhe përgjigjja e kryesuesit të Kuvendit, Fatmir Gashi, pas kërkesës që i ishte bërë nga ne si Lëvizje Vetëvendosje! që të na ofrojë vendimin nëse kishte. Ai ndër të tjera thoshte “Sa për sqarim, pas konsultimit me Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave, projekti për asfaltimin e rrugës “Zahir Pajaziti “ është bërë nga kodi buxhetor 44621, ku edhe parashihet asfaltimi si kategori”. E ky kod buxhetor 44621 parashihte “Zgjerimin, ndërtimin, asfaltimin e rr. “Zahir Pajaziti” dhe rr. “Skenderbeu” me tërë infrastrukturën përcjellëse”, që do të thotë se njëherë bëhet zgjerimi, pastaj ndërtimi i infrastrukturës përcjellëse e krejt në fund bëhet asfaltimi. Për çdo ndryshim projekti duhet të ketë një vendim të Kuvendit Komunal, këtu shihet qartë se Kuvendi Komunal nuk ka marrë vendim për ndryshim të projektit i paraparë në kodin buxhetor 44621, aq më pak nuk ka pasur vendim për shtresim me asfalt të rr. “Zahir Pajaziti” .
Shkelje tjetër që është bërë në realizimin e këtij projekti është se kryetari Veliu nuk i ka ndjekur procedurat e prokurimit. Për këtë ne si Lëvizje Vetëvendosje! kemi kërkuar qasje në dokumente zyrtare rreth asfaltimit të kësaj rruge, por nuk kemi marrë përgjigjeje dhe për këtë kemi bërë kallëzim penal në Prokurori Themelore në Prishtinë.
Në të njëjtin vit, në të njëjtën rrugë është bërë edhe sanimi i gropave që do të thotë kemi pasur dy projekte për të njëjtën rrugë, kjo është shkelje tjetër ligjore që kryetari Veliu e ka keqpërdorur taksën e qytetarëve të Podujevës.
Në këto dy projekte që janë realizuar në rrugën “Zahir Pajaziti” janë shpenzuar më shumë se 200 mijë euro, do të thotë 200 mijë euro mbas një viti kryetari Veliu ka filluar t’i shkatërrojë. Komuna e Podujevës është një ndër komunat më të pazhvilluara në Kosovë. Sikur kryetari Veliu do t’i kishte mirëmenaxhuar këto para të qytetarëve, qytetarët e komunës së Podujevës ndoshta do të kishin të ndërtuar një stacion të autobusëve në qytet apo do të ishte e mundur ndërtimi i 15 shtëpive për familjet në nevojë për banim apo ndonjë projekt tjetër që do ishte në shërbim të qytetarëve.






