Lokale - eSIMy

Është hedhur shorti për fazën e kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian 2020. Kosova me këtë rast do të jetë pjesë e Grupit A kualifikues bashkë me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë e Malin e Zi.

Në këtë kampionat nuk do të ketë ekipe automatikisht të kualifikuara.

Evropiani 2020 do të ketë 24 skuadra pjesëmarrëse. 20 nga to do të caktohen prej këtyre kualifikimeve, që nisin në mars e përfundojnë në nëntor të vitit 2019.

20 ekipet që do të kualifikohen do të jenë dy ekipet e para të dhjetë grupeve kualifikuese. Katër të tjerat do të përcaktohen pas kësaj faze, përmes “Play-offit” të Ligës së Kombeve, ku Kosova ka siguruar gjysmëfinalen në Ligën D.

Rregullat në pika kyçe:

Secila skuadër luan me secilën në grup dy herë.

Dy më të mirët e grupit kalojnë direkt në Euro 2020. Nga 10 grupe kualifikohen 20 kombëtare.

Katër tjerat caktohen nga Play-Offi i Ligës së Kombeve. Secila ligë ka katër skuadra tashmë të kualifikuara në gjysmëfinale. Kjo fazë luhet në mars të vitit 2020, pas kualifikimeve të rregullta. Fituesit e secilës ligë shkojnë në Euro 2020. Nëse një ekip shkon në Euro 2020 nga faza e rregullt dhe është i kualifikuar në Play-Off të Ligës së Kombeve, vendin e saj në Play-Off e zë ekipi më së miri i ranguar në atë ligë. Nëse një ligë nuk i ka katër skuadra të mbetura për Play-Off, vendet mbushen nga liga pasuese.