Nëntor i ‘përgjakur’ e ka përcjellë Komunën e Podujevës këtë vit.
Përgjatë këtij muaji, u vranë dy persona, një u plagos me armë e një tjetër i mitur u ther me thikë, raporton Llapi.info
Fillimi i nëntorit u raportuan raste për dhunë nëpër shkolla. Dy rrahje mes të miturve ndodhen brenda dy dite në shkolla të ndryshme. Nga përleshja mbeten të lënduar dy persona.
Mesi i nëntorit u përcjell me raste edhe më të rënda. E enjtja e këtij muaji ishte e kobshme në këtë Komunë. Rreth orës 13:00 një nxënës i mitur u ther me thikë përpara objektit të shkollës ekonomike “Isa Boletini”. Policia ka njoftuar se i dyshuari për këtë rast është arrestuar.
Të enjten mbrëma, rreth orës 22:00, në fshatin Surkish u plagosen dy persona. Pas të shtënave, Arian Selmani, 30 vjeç nuk u mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë rreth orës 01:00, derisa i plagosuri tjetër tani është në gjendje të mirë.
“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Surkish të Podujevës, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me plagosje ku nga arma e zjarrit, janë plagosur viktimat: A. S , 30 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, dhe E. S, 23 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar , të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (A.S), nuk ka mundur t’i përballojë, plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 01:00, nga QKUK-ja jemi njoftuar se viktima ka ndërruar jetë”, pati njoftuar Policia, transmeton Llapi.info
Të premten në dy xhamitë kryesore në Podujevë, hoxhallarët dolën me një mesazh duke kërkuar që të ndërpriten rastet të tilla.
Tre ditë më vonë, Halit Zhdrella, pjesëtar i Policisë së Kosovës nga fshati Penuhë mbeti vrarë. Policia e ka cilësuar si vrasje nga pakujdesia. Nga ky rast është arrestuar një 30 vjeçar (nipi) si i dyshuar.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, ka thënë se hetimet janë në fazën fillestare mirëpo dyshohet se deri tek aksidenti ka ardhur pasi T.Zh ishte duke e pastruar armën dhe nga pakujdesia ajo ka shkrepur.
58 vjeçi u varros me ceremoni shtetërore në varrezat e fshatit Penuhë.
Ndryshe, Halit Zhdrella, ka qenë toger i Policisë së Kosovës dhe ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.
Kujtojmë, pak ditë pas këtyre ndodhive, i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në një takim me komandantin e Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRD-C ) të KFOR-it, kolonelin Antonello Catalano, e ka cilësuar si të qetë sigurinë në Komunën e Podujevës./Llapi.info






