Komunarët në Podujevë janë kritikuar nga opozita për shkak të investimeve të ulëta kapitale, njofton Llapi.info
Për 6 muajt e parë të këtij viti ata kanë shpenzuar vetëm 614 mijë e 363 euro nga 6 milionë e 489 mijë sosh të planifikuara për këtë kategori. Ndërsa, në 9 muajt e vitit 2018 kjo shifër ka arritur në vetëm 1 milion e 859 mijë euro, apo shprehur në përqindje 28. 66%.

Për këtë, partitë opozitare në Podujevë e kanë kritikuar pushtetin qeverisës në Podujevë. Thonë se në këtë Komunë investimet kapitale duhet të jenë më të mëdha.
Këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doruntinë Hasani, raportin financiar për 9 mujorin e këtij viti e ka cilësuar si të dështuar.
“Komuna e Podujevës ka dështuar në realizimin e buxhetit si në aspektin e të hyrave buxhetore ashtu edhe në aspektin e shpenzimeve kapitale. Ky suficit kaq i lartë tregon paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e këtij pushteti”, ka thënë për Llapi.info Hasani.
Sipas saj, nga Komuna ka neglizhencë se si duhet të bëhen investimet e po ashtu edhe planifikimet.
“Neglizhencë ka shumë sidomos në trajtimin e prioriteteve te komunës se ku duhet të investohet më shumë. Ka neglizhencë se si duhet të bëhen investimet e gjithashtu edhe në planifikimin e investimeve, investojnë disa herë në te njëjtin vend”, ka thënë tutje Hasani.
Hasani më tej, ka thënë se mosrealizimi i investimeve ndikon në zhvillimin ekonomik në vend.
“Të gjithë i dimë nevojat shumë të mëdha të Komunës së Podujevës për investime kapitale, dhe mosrealizimi i këtyre projekteve kapitale sigurisht ka ndikim ne zhvillimin e gjithmbarshëm socio-ekonomik”, tha ajo.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës-dega në Podujevë, e ka kritikuar ekzekutivin qeverisës në këtë Komunë. Këshilltari i këtij subjekti, Fatmir Rudari në një prononcim për Llapi.info ka thënë se qeverisja aktuale në këto investime është e papërgjegjshme.
“Në 6 mujorin e parë të vitit 2018, Komuna e Podujevës dhe kryetari aktual, kishin arritur të shpenzonin vetëm buxhetin vetëm 10 për qind për investimet kapitale. Ndërsa, në nëntë mujorin e këtij viti buxheti për këto investime ishte vetëm 28 për qind. Kjo tregon së në Podujevë ka një qeverisje të papërgjegjshme, të pa aftë që s’di të planifikojë projekte konkrete në të mirë të qytetarëve”, ka thënë Rudari.
Sipas tij, Komuna e Podujevës ka nevojë ka nevojë për investime shtesë.
“Ky trend i qeverisjes po tregon se nuk është e aftë t’i shpenzojë mjetet që i ka në dispozicion, e lëre më të kërkojë investime tjera”, tha ai.
Ndryshe, sipas Auditorit të Përgjithshëm, investimet kapitale në Podujevë kanë qenë sfidë edhe vitin paraprak.
Auditori ka thënë se Podujeva ka nivel të ulët në realizimin e buxhetit te investimet kapitale dhe se kjo është sfida më e madhe e kësaj Komune.
“Shkalla aktuale e ekzekutimi të buxhetit për investime kapitale është sfida kryesore të cilën përballet komuna”, thuhej në raportin e ZKA-së për Komunën e Podujevës./Llapi.info






