Qeveria e Kosovës, të mërkurën, ka marrë vendim për të rritur taksën nga 10 për qind në 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kjo, një ditë pas dështimit të saj për t’u anëtarësuar në INTERPOL.
Përveç kësaj, Qeveria ka paralajmëruar edhe masa të tjera ndaj shtetit fqinj, derisa Serbia është importuesi më i madh në Kosovë. Vitin e kaluar mallrat e hyra nga ky shtet kanë kapur vlerën e 450 milionë eurove.
Masën prej 100 për qind për shtetin fqinj, e kanë përkrahur edhe qytetarët llapjanë. Madje, ata thonë se ky vendim është vonuar për shumë kohë.
Beqir Sadiku, thotë se kjo masë duhet përkrahur nga të gjithë pasi që sipas tij, Serbia nuk po lejon që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
“Taksën është dashur moti me e bë, ajo asgjë nuk është duke bërë për neve. Ai shtet secilën dit është duke na penguar duke mos na lënë me i hap sytë. Tash duhet me ua hequr edhe tabelat e veturave qysh po na i heqin ata neve. Asnjë simbol Serbia tonin nuk po na e lejon”, tha për Llapi.info, Beqir Sadiku.
“Nuk duhet me u rrit çmimi, duhet të hapen vende të punës edhe me i pas produktet tona qysh i kemi edhe tjerat. Kurse, atë vendim duhet mbështetur ndaj një shteti siç është Serbia”, tha ai.
Të njëjtin mendim e shpreh edhe Bekim Bajrami, një shitës i pemëve dhe perimeve. Sipas tij, Kosova nuk duhet të jetë e varur nga një shtet i cili ka bërë dëm gjithmonë.
“Normal që e përkrahim se duhet me punu veç me sendet tona. Nuk duhet të jemi të varur nga një shtet si Serbia. Taksa e vënë duhet me qenë ashtu 100 për qind për gjithmonë”, tha ai.
Shumë pronarë të dyqaneve të mëdha në Podujevë, e kanë mirëpritur këtë taksë, pasi që kjo masë është domosdoshme duke e parë qëndrimin e Serbisë karshi Kosovës.
Se që është dashur të vendoset kjo taksë kohë më parë e thotë edhe Xhafer Ferati rreth të 50-ve.
“Nëse ka sukses kjo taksë është shumë mirë. Është dashur shumë vite më parë të vendoset dhe t’i tregojmë se na mundemi me vendos vetë. Të dëmtohet Serbia është mirë për neve, por nuk duhet të dëmtohet konsumatori. Nuk duhet të ketë ngritje çmimesh. Se për Serbinë në fillim është dashur 200 për qind me ja bë. Prej Serbisë kurrë diçka mirë s’kemi pritë”, tha Ferati.
Këtë vendim e kanë vlerësuar pozitivisht edhe ekspertët e ekonomisë.
Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, importet e Kosovës nga vendet e rajonit, në muajin shtator kanë arritur në 82.2 milionë euro dhe përbëjnë 28 për qind të importeve të përgjithshme.
Vendi me pjesëmarrjen më të lartë për import është Serbia me 12.8 për qind, ndërsa e katërta është Bosnjë- Hercegovina me 2.6 për qind. Sipas Agjencisë së Statistikave, importet nga vendet e rajonit të përfshira në Marrëveshjen e CEFTA-s, në vitin e shkuar ishin 856.1 milionë euro. Vetëm importet nga Serbia përbëjnë më shumë se gjysmën e kësaj vlere, përkatësisht 450 milionë euro, ndërsa ato nga Bosnjë-Hercegovina ishin në vlerë 81.5 milionë euro. Krahas masës për 100 për qind, Qeveria ka marrë vendim që të ndalohet edhe importimi i çdo produkti që nuk e ka etiketën me emërtim Republika e Kosovës.
Kujtojmë, dy javë më parë Kosova kishte vënë një taksë 10 për qind të importit për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja, derisa BE i ka bërë thirrje Prishtinës që ta ndryshojë këtë vendim. Gjatë ditës së sotme, reagime të shumta ka pasur nga krerët e shtetit serb për taksën e vënë.






