Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim komandantin e Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRD-C ) të KFOR-it, kolonelin Antonello Catalano, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në këtë Komunë, transmeton Llapi.info
Në njoftimin të lëshuar për medie nga Komuna, thuhet se në këtë takim gjendja e sigurisë në Podujevë është vlerësuar e qetë dhe stabile.
Me këtë rast, Veliu vlerësoi i angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin.
“Komuna dhe institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë, por edhe vetë qytetarët e komunës sonë, kultivojnë raporte të mira bashkëpunimi me KFOR-in. Falë këtij bashkëpunimi ne kemi një gjendje të mirë të sigurisë”, ka thënë Veliu në këtë takim.
Ndërsa, koloneli Catalano falënderoi kryetarin Veliu për bashkëpunimin e deritashëm dhe shprehu përkushtimin e thellimit të bashkëpunimit jo vetëm në sferën e sigurisë, por edhe në fusha të tjera me interes për qytetarët e Komunës së Podujevës./Llapi.info






