Lajmi për zgjerimin e kësaj rruge e kishte gëzuar Ukshin Shalën, kjo pasi që ai kishte menduar që më në fund rruga e cila lidh Prishtinën me Podujevën do të zgjerohet dhe do të jetë më e lehtë e kalueshme.
Por, që nga ajo ditë kur ka filluar zgjerimi i kësaj magjistraleje, kanë kaluar mbi tri vjet, dhe punimet vazhdojnë me ritëm të ngadaltë.
“Rruga na kanë thënë se ka me u krye për sivjet, për këtë muaj ose tjetrin, mirëpo ende nuk është kryer dhe vetëm deri këtu ka mbërritur. Kemi përshtypje se vetë po i zvarrisin me i vonu me shumë, se me dashtë punojnë, por s’po donë”, thotë Shala për T7, transmeton Llapi.info
Nga pluhuri i madh që po bëhet nga punimet tash e sa kohë në këtë magjistrale, banorët po e pësojnë edhe në aspektin shëndetësor.
“Që gjashtë muaj veç e gërryen e lanë kështu, tash na po duhet vet me dalë me ujit, s’ka kurrgjë hiç. Jemi shumë të zhgënjyer nga kjo Qeveri që me të vërtetë është katastrofë”, thotë Naim Tovërlani.
Sipas banorëve, nga mungesa e vendosjes së shenjave në këtë rrugë ku po bëhen punimet, ka raste edhe kur janë shkaktuar aksidente.
Se nuk po punohet me intensitetin e duhur e thotë edhe Muharrem Gërguri, banor i kësaj ane.
“Të ish punu diçka bile, por kurrgjë hiç me ka dy-tre punëtorë nuk mundesh me i gjetë askund”, tha ai.
Ndërkohë, në Ministrinë e Infrastrukturës e kanë pranuar se punimet në këtë rrugë janë zgjatur.
“Nëse arrijmë konsensus me qytetarët në ditën e premte, unë shpresoj që brenda dhjetë dite lloti i pestë do të përfundoj i tëri. Ka mbetur shtresa e tretë e asfaltit të hedhet dhe përfundon ai llot. Ndërsa, lloti i tjetër e kemi deri në qershor të vitit të ardhshëm sipas dinamikës të cilën e kemi të kontraktuar që thotë se janë 180 ditë pune”, ka thënë zv/ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.
Ata thonë se një pjesë e kësaj rruge ka filluar në mandatin e Qeverisë së kaluar dhe deri më tani kanë hasur në probleme të ndryshme, duke filluar nga shpronësimet e deri te bizneset në ndarjen e shiritave./Llapi.info






