Punimet në “Rrugën e Xhamisë” buzë lumit Llap kanë filluar këtë vit, por tani kur pothuajse është në përfundim po dalin probleme të ndryshme. Kjo pasi që tani në një pjesë banorët kanë ndalur punimet pasi po pretendojnë se janë ndërruar fjalët nga Komuna për kompensim, raporton Llapi.info
Banorët e kësaj lagjeje [Blakçori] thonë se i pari i Podujevës, Agim Veliu, u kishte premtuar atyre se nëse lejojnë ndërtimin e kësaj rruge do të jepen leje për ndërtim të ulët, të mesëm dhe të lartë dhe të gjitha taksat komunale do të binin në barrë të administratës komunale. Por, tash kur ka ardhur koha t’i vihet asfalti, sipas banorëve fjalët kanë ndërruar dhe për këtë arsye edhe nuk po lejojnë të asfaltohet rruga.

Por, për këtë drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha, i cili ka kërkuar nga këshilltarët që të votohet për vendosjen e kësaj rruge në interes publik, ka thënë se shpronësimin e bënë Ministria e Financave.
“Ne kemi diskutuar me qytetarët edhe nuk mund t’i jepet dikujt as më shumë e as më pak se sa i jep ligji. Dhe këta nuk do jenë të hendikepuar që i merr diçka Komuna e që është pronë e tyre. Është çështje në interes publiku, shpronësimin e bën Ministria e Financave dhe ajo e Planifikimit Hapësinor. Në hartën zonale do të përcaktohet në secilën parcelë të tokës në Podujevë, nuk i merret pasuria qysh dëshiron Komuna, por janë ligjet dhe nuk dëmtohen”, ka thënë Jaha.
Tani, përveç kësaj, kjo rrugë e cila lidhet me rrugën e qendrës, po cilësohet nga opozita si e ngushtë për qarkullim. Sipas këshilltarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu kapaciteti i kësaj rruge në krahasim me atë të qendrës, është i vogël.
“Realisht ajo rrugë është ndërtuar në pronë private, kapaciteti i asaj rruge është i ngushtë. Nëse ka qarkullim sa rruga “Zahir Pajaziti” e cila mbyllet për shkak të saj, do të ketë kaos se përnime ka hapësirë të vogël”, ka thënë ai.
Ndërsa, në lidhje me shpronësimin Lahu ka shtuar se së pari është dashur të bëhet shpronësimi e pastaj ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës.
Edhe këshilltarët tjerë opozitarë theksuan se shpronësimi në këtë pjesë duhet të bëhet me ligj.
Pas diskutimeve kjo pikë e rendit është shtyrë për seancën e radhës pasi që nuk ka arritur të miratohet si rezultat i shqetësimit të banorëve./Llapi.info
Lexo edhe: Banorët ndalin punimet e rrugës së re në Podujevë, shkak shpronësimet






