Zyrtarët e PDK-së në Podujevë po thonë se kanë informacione se shkolla në fshatin Orllan do të rrënohet, raporton Llapi.info
Shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se ekziston një projekt që parasheh ngritjen e digës së liqenit të Batllavës edhe për 2 metra lartësi. Sipas tij, të gjitha objektet përreth liqenit do të rrënohen për shkak të ngritjes së nivelit të ujit.
“Me sa jemi të njoftuar ne, ekziston tashti një donacion evropian për ngritjen e digës në liqenin e Batllavës në nivelin prej dy metrave lartësi dhe do të bëhet rrethoja në tërësi e pjesës buzë asfaltit që përshkon rrugën nga fillimi i liqenit deri në Orllan”, ka thënë ai.
“Në bazë të njoftimeve, këtë projekt është biseduar ta përfundojnë çekët. Me sa e di edhe në fillim këtë digë e kanë mbikëqyrur inxhinierët çekë kur është ngritur penda e liqenit të Batllavës”, ka thënë më tej ai.
Sipas tij, me rrënimin e këtij objekti, profilet e saj do të hapen në fshatin Batllavë.
“Në bazë të këtij projekti niveli i ujit do të ngrihet, ku objektet, të cilat gjenden në afërsi të liqenit duhet të largohen, sepse rrezikohen nga niveli i ujit në tërësi. Me sa jemi të njoftuar edhe Shkolla e Mesme në Orllan do të largohet nga aty dhe profilet e saj do të hapen në fshatin Batllavë në shkollën e re që është ndërtuar tashti afër xhamisë së fshatit”, ka theksuar ai.
Shefi i GK të PDK-së thotë se tash pritet fillojë faza e dytë e rrënimeve nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Stacioni i ri, shkolla dhe çdo objekt i ri i ndërtuar buzë liqenit do të rrënohet në bazë të planit zhvillimor nacional. Në pjesën e poshtme të liqenit s’ka me pas askush qasje”, ka thënë Llapashtica, kur po diskutohej ridestinimi i objektit të pushimores për fëmijët bonjakë.
Sipas tij, as një deklaratë dhe reflektim nuk ka ardhur nga Komuna e Podujevës në lidhje me këto rrënime./Llapi.info






