Vendosja e njehsorëve të rrymës në maje të shtyllave në Komunën e Podujevës, po konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut, njofton Llapi.info
Sipas Shefit të GK të PDK-së në Podujevë, Rafet Llapashtica, ky plan po ua pamundëson qytetarëve që të shohin gjendjen e tyre në njehsorët elektrikë.
“Duhet të kemi parasysh që punimet kur të bëhen zyrtarët e Urbanizmit të shikojnë nëse gjithçka është në përputhje me planin urban. Të shikohet afërsia e rrugës në zonën urbane, se në disa vende mund të pengojnë. Pastaj vendosja e orëve digjitale në majë të shtyllave është shkelje e të drejtave të qytetarëve se ata asnjëherë nuk do të kenë mundësi ta shohin gjendjen”, ka thënë ai.
Sipas tij, në disa Komuna të Kosovës vendosja e njehsorëve në maje të shtyllës është ndërprerë.
“Unë e di se disa komuna e kanë ndërprerë. KEDS-i për t’i vendosur ato orë atje duhet të marrë leje. Kjo as nuk është e rregulluar me ligj”, ka theksuar tutje Rafet Llapashtica, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, kur po diskutohej për dhënien e disa pronave në shfrytëzim afatmesëm KEDS-it për vendosjen e trafove.
Në lidhje me pikë, drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Podujevë, Hamdi Jaha, ka potencuar se në Podujevë do të ndërrohet komplet rrjeti i energjisë elektrike. Ndërsa, në lidhje me vendosjen e orëve ai ka shtuar se do të kërkojë sqarime se pse duhet vendosur në maje të shtyllave.
“Kuvendi i Podujevës me shpejtësi të madhe u ka dhënë leje KEDS-it për vendosjen e trafove, por si shpërblim i kësaj për vitin që jemi tash investohen 7.8 milionë euro, kurse për vitin e ardhëm 5.6 milionë, jemi prej Komunave që më 2021 eventualisht 22, komplet rrjeti i energjisë do të jetë i ri. Ndërsa, sa i përket orëve që vendosen lartë do të komunikoj me pjesën kryesore të KEDS-it dhe të sqarojmë pse vendosen atje”, ka thënë ai.
Ndryshe, kjo pikë e rendit të ditës me shumicë votash është miratuar në seancën e fundit në Kuvendin Komunal./Llapi.info