Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk na urren neve pse jemi shqiptarë, por urren edhe të tjerët pse nuk janë serbë.

Para një shekulli, shkruan Kurti, gjashtë vjet pasi e pushtoi Kosovën, me të mbaruar Lufta e Parë Botërore, Serbia e aneksoi Vojvodinën.

“Jugosllavia e Parë ishte monarki dhe u formua si platformë për Serbinë e Madhe. “Ku është një serb, aty është Serbi” nuk paraqiste analizë faktesh por projekt hegjemonik. Andaj nisi kolonizimi i hapsirës së ish Jugosllavisë përmes popullimit me serbë dhe shpronësimit të të tjerëve. Serbia nga Kosova ka dëbuar shqiptarë për Turqi, por edhe nga Vojvodina ka dëbuar gjermanë e hungarezë. Pra, Serbia nuk na urren vetëm neve pse jemi shqiptarë, por edhe të tjerët pse nuk janë serbë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Para tri dekadave, thekson ai, me ushtri e polici të ish Jugosllavisë, Serbia iu pat sulur Kosovës, mandej Sllovenisë, pastaj Kroacisë, pastaj Bosnje dhe Hercegovinës dhe në fund edhe njëherë Kosovës.

“Beogradi, si kryeqytet i Jugosllavisë, për ta krijuar Serbinë e Madhe, e shkatërroi Jugosllavinë e Dytë, meqë s’u dukej më mjaftueshëm e keqpërdorshme. “Ku është një varr serb, atje është Serbi”, bërtisnin akademikët dhe priftërinjtë serbë. Kështu, serbët duhet të vdisnin, duke vrarë e pasi të kenë vrarë kroatë, boshnjakë e shqiptarë. 160.000 joserbë u vranë, miliona njerëz u bënë refugjatë”, ka shkruar tutje Kurti.

Kurti thotë se pas shkatërrimit të Jugosllavisë së Dytë, Serbia vazhdoi edhe me shkatërrimin e njësive konstituive, pra republikave, veç e veç.

“U përpoq t’i rrënojë ato nga brenda me konstruksione juridike dhe struktura paralele të cilat republikat i shndërrojnë në shtete jofunksionale. Në Kroaci nuk i eci. Në Bosnje e instaloi Republikën Serbe. Në Kosovë po mundohet të na e kurdis ‘Zajednicën’”, thotë Kurti.

“Serbia edhe sot gjithqysh është e madhe. Ajo i ka brenda Vojvodinën, Sanxhakun, Luginën e Preshevës dhe Krahinën e Timokut. Pra, Serbia i ka brenda vetes Novi Sadin e Suboticën, Novi Pazarin e Pirotin, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Ata Kosovën e quajnë Kosovë dhe Metohi, pikërisht pse vetë ata do të duhej të quheshin: Serbia, Vojvodina, Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe Krahina e Timokut”, ka shkruar ndër të tjera lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fund ka thënë se “ne nuk jemi kundër popullit serb, ashtu siç kurrë nuk kemi qenë dhe kurrë nuk do të jemi. Nuk i barazojmë serbët me Serbinë, ashtu qysh nuk e barazojmë pjesëtarin e një populli me veprimet e një shteti”.