
Të paktën 149 persona, mes të cilëve edhe civilë, janë vrarë në 24 orët e fundit të përplasjeve mes forcave besnike të qeverisë dhe rebelëve në qytetin jemenas të Hodeidas, sipas asaj që informojnë burime mjekësore dhe ushtarake gjatë kësaj të hëne.
Një zyrtar i ushtrisë konfirmoi se 7 civilë kishin humbur jetën, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Qyteti portual me dalje në detin e Kuq, i kontrolluar nga rebelët Houthi që prej vitit 2014, është një pikë jetike hyrjeje e ndihmave për vendin që po shkon drejt skamjes.
Një burim nga koalicioni ushtarak proqeveritar në Jemen, që gëzon gjithashtu mbështetjen nga aleanca ushtarake e udhëhequr prej Arabisë Saudite, tha se rebelët Houthi u tërhoqën nga një ofensivë madhore që synonte të arrinte dalje në portin e Hodeidas.
Mjekët nëpër spitalet përreth qytetit raportuan se 110 rebelë dhe 32 luftëtarë besnikë të qeverisë ishin vrarë gjatë natës.





