Prishtinë, 12 nëntor – Një grup i prokurorëve të Shtetit, të cilët kryesisht merren me Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar dhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar nga Kosova, kanë bërë një vizitë studimore në Gjermani, në kuadër të projektit IPA 2017, “Luftimi i krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor”, të financuar nga BE dhe të implementuar nga GIZ.
Sipas njoftimit për media të Zyrës për komunikim, delegacioni i prokurorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, DBJN, gjatë kohës sa ishin në shtetin Gjerman, fillimisht janë pritur nga Enti Federal i Drejtësisë në Bon, pastaj nga prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme në Celle, për të vazhduar në Ministrinë e Drejtësisë së Saksonisë së Ultë, në Hannover.
Temë qendrore e të gjitha takimeve ka qenë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale, me fokus bashkëpunimin në mes vendeve tona, si të përmirësohen ato në të ardhmen, si dhe shkëmbimi i përvojave në mes delegacionit të prokurorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, DBJN, me përfaqësuesit e këtyre institucioneve.
Gjithashtu, delegacioni është njoftuar me punën e prokurorëve gjermanë që kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurive të fituara me vepër penale, luftimin e terrorizmit dhe tema tjera.
Po ashtu, vlen të theksohet se delegacioni i prokurorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, DBJN, kanë zhvilluar një vizitë në Ministrinë Federale të Drejtësisë në Berlin, ku janë pritur nga zyrtarë të shumtë në mes tyre edhe nga zëvendësministri federal i drejtësisë, prokurori Ralf Riegel.