Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që po udhëhiqet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Konjufca ka thënë se Thaçi është në krye të këtij dialogu tash e shtatë vjet dhe nuk ka sjellë asnjë rezultat.
“Ky njeri, presidenti Hashim Thaçi ka qenë në krye të dialogut prej vitit 2011. Figura kryesore e dialogut me Serbinë ishte Thaçi, në atë kohë në dy mandatet e mëhershme edhe si kryeministër i Kosovës”.
“Duhet të shtrohet pyetja se cilat janë rezultatet e këtij njeriu që ka qenë në krye të dialogut prej fillimit, që shtatë vite që ne kemi këtë proces negociator me Serbinë”.
“Do të veçoja tri produkte të këtij dialogu që janë shumë të dëmshme”.
“E para është krijimi i Listës Serbe, ky formacion politik drejtpërdrejtë i lidhur me Vuçiqin i cili bllokon proceset më ekzistenciale për Kosovën, si qëndrimi i Listës Serbe për ushtrinë e Kosovës – kur deputetët shqiptarë janë bashkë për të krijuar Ushtrinë e Kosovës, Lista Serbe bën obstruksionet e vetme”.
“Rezultati i dytë i dialogut të udhëhequr nga Thaçi është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kjo është një marrëveshje shumë e dëmshme që ka dëmtuar funksionimin unitar të Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë por prapë nuk është projekt i vdekur, ka tendenca të vazhdueshme që ky projekt të ringjallet”.
“Thaçi dhe qeveria e kaluar ka qenë e gatshme që të pranonte me dorën e vet krijimin e një pushteti të tretë në Republikën e Kosovës që i jep goditje në shtyllën kurrizore shtetit të Kosovës”.
“Rezultati i tretë i negociatave të udhëhequra nga Thaçi, ka qenë një lloj legalizimi të pushtetit të Serbisë në Kosovë”.
“Serbia që të ndajë pushtetin në Kosovë, me institucionet e Kosovës në drejtësi, polici pasi komandanti rajonal i Policisë propozohet nga Serbia, pastaj e zgjedh Kosova por fakti se Serbia ka të drejtë të propozojë komandantin e Policisë së Kosovës ëhtë ndarje e pushtetit me Serbinë”.
“Pastaj në AKI, në integrimin e agjentëve të saj po ashtu në energjetikë, telekomunikacion dhe shumë fusha jetike institucionale të Kosovë”.
“Hashim Thaçi me projektet e tij dhe kompromiset që ka qen i gatshëm t’i bëjë, ka legalizuar Serbinë brenda Kosovës. Si është e mundshme që një njeri që ka qenë në krye të procesit të bëjë gjithë këto kompromise tash po na del si shpëtimtar i kombit dhe qenka njeriu i vetëm që t’i varim shpresat për bashkimin e shqiptarëve?”.
Konjufca ka thënë se Vetëvendosja është kategorikisht kundër idesë së Thaçit duke shtuar se “Thaçi është i gatshëm të paguajë njohjen nga ana e Serbisë me territor të Kosovës dhe me komuna specifike që janë në pjesën veriore të Kosovës”.
“Jemi kategorikisht kundër kësaj, ashtu si çdo shqiptar që i ka dy gramë identitet kombëtar dhe atdhedashuri është kundër kësaj ideje, kundër këtij projekti”.
Madje, ai ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të domosdoshme për njohjen nga ana e shtetit të Serbisë.
“Mendoj se Kosova mund të jetojë fare mirë dhe të jetë shtet i suksesshëm pa njohjen e Serbisë, nuk duhet të jetë njohja asnjë kalkulim që ne të japim diçka e aq më tepër territor për shkak të njohjes”.
“Deri tash Serbia nuk na ka njohur por Kosovën e kanë njohur rreth 115 shtete. Njohja nga SHBA, Gjermani dhe të gjitha vendet më të fuqishme të botës, nga të gjitha shtetet minus pesë shtete të BE-së, për Kosovën është shumë më shumë e rëndësishme se njohja e Serbisë”.
“Për këto shtete, njohja që na kanë bërë është shumë më e rëndësishsme se e Serbisë, Kosova nuk ka dhënë asgjë, pse për Serbinë, Kosova duhet të japë atë që është jetike”.
“Hashim Thaçi ka shkuar pa mandat atje derisa kryeministri në një konferencë për shtyp tha se Qeveria nuk e di se për çka është duke folur presidenti derisa presidenti ka thënë se është i gatshëm të flasë për territore”.
“Sikur të ishim një shtet si duhet dhe ta kishim një kryeprokuror si duhet, jo si ky që është tani, kryeprokurori do të lëshonte thirrje kurse si rrjedhojë Policia do të duhej të lëshonte urdhër-arrest”.
“Kështu që në momentin e parë që Hashim Thaçi arrin në aeroportin e Prishtinës dhe shkel në territorin tonë, duhet të aktivizohet menjëherë urdhër-arresti i Policisë së Kosovës dhe presidenti të shfaqet në Gjykatë, në intervisim në zyrën e prokurorit që t’i bëhet me dije se veprimet që po bënë janë shkelje edhe të Kodit Penal, sepse janë shkelje e Kushtetutës”.
“Askush nuk ka mandat, asnjë person, që përfaqëson institucionet e Kosovës, aq më tepër presidenti që në hierarkinë shtetërore është personi më i lartë që të shkojë dhe me një armik të Republikës së Kosovë të thotë që nuk ka vija të kuqe dhe po bisedon për gjithçka, aq më tepër për territorin e Kosovës”.
“Po të kishte qenë shteti jonë si duhet, po të mos kishte qenë i kapur, po të kishte qenë shtet demokratik, Prokurori sot do ta kishte lëshuar thirrjen dhe Policia urdhër-arrestin”.