Punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë filluan në maj të këtij viti. Që nga atëherë, ankesat e qytetarëve nuk janë ndalur sa i përket zvarritjes së punimeve, raporton Llapi.info
Qytetarët shprehen se punimet shpeshherë edhe kanë bllokuar rrugën nga kolonat e gjata. Ata shprehën të zhgënjyer me ritmin e punimeve, duke shtuar se është pakuptimtë që kjo rrugë të zgjat kaq shumë.
“Këto punime po bëhen që tri vjet që kanë filluar edhe hala s’është në rend me u kry. Do kilometra janë asfaltuar, por puna është shkuar shumë ngadalë dhe pas gjithë këtyre viteve hala nuk është duke përfunduar”, ka thënë për Llapi.info R.S nga fshati Gllamnik.
Që ka pasur probleme e punime të ngadalta e kanë pranuar edhe zyrtarët në Ministrinë e Infrastrukturës.
Sipas tyre, buxheti jo i planifikuar mirë nga ish-qeverisja ka qenë shkak që punimet të cilat kanë filluar para dy viteve, e që nuk janë përfunduar akoma, janë zgjatur.
Tani kur jemi në muajin nëntor në segmentin e pestë ministria ka probleme me bizneset për ndarjen e shiritave. E ko gjë ka bërë që momentalisht punimet të zhvillohen me kapacitet të vogël. Kështu thuhet së paku në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës për Llapi.info
“Punët në zgjerimin e Rrugës Nacionale N25, segmenti Podujevë -Besi, Lloti V, momentalisht janë duke u zhvilluar me kapacitet të vogël, ngase kemi probleme me biznese të cilat na pengojnë për të ndarë shiritët në mes vete me pahi elastike dhe me vendosjen e shtresës së tretë, për përmbylljen e projektit të paraparë”, thuhet në përgjigjen e MI-së.
Sipas kësaj ministrie, këto ditë do të përfundojë segmenti i katërt.
“Në llotin IV pritet që këto ditë të mbyllet edhe ana e djathtë në gjatësi prej 1409m (drejtimi Prishtinë), me çka përmbyllen edhe punimet në aspektin financiar për vitin 2018. Mirëpo aty ku nuk ka probleme pronësore, kompania është duke bërë gërmimin dhe mbushjen në zgjerime, me ç’rast financiarisht do të paguhet në vitin 2019. Ky projekt është paraparë të kryhet për 6 muaj (180 ditë pune)”, thuhet tutje në përgjigjen e MI-së për Llapi.info.
Ndërkohë, punimet për zgjerimin e rrugës e rrugës Besi – Podujevë në segmentin Lluzhan – Gllamnik, kanë rifilluar në muajin maj të këtij viti.
Kujtojmë, në lidhje me këto punime në Kuvendin Komunal është mbajtur edhe seancë të jashtëzakonshme ku është kërkuar sqarime në lidhje këtë rrugë. Madje, Lëvizja Vetëvendosje pati organizuar edhe protestë duke kundërshtuar zvarritjen e punimeve./Llapi.info