Prokuroria Themelore e Gjakovës i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për tentim vrasje.
Më 31 tetor të këtij viti, Prokuroria e Gjakovës, përkatësisht departamenti i Krimeve të Rënda kishte pranuar një rast të cilin e kishte cilësuar si tentim vrasje, raporton lajmi.net
Rasti kishte ndodhur në fshatin Dujakë të komunës së Gjakovës, ku i pandehuri A.J., pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin S.A., nga fshati Dujakë- Komuna e Gjakovës, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta.
Të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore me armë zjarri, ku gjithashtu lëndime të lehta trupore i ka shkaktuar edhe djalit të dëmtuarit B.A
I pandehuri A.J., nga momenti i rastit kritik është arratisur, duke u vetëparaqitur në polici në mënyrë vullnetare para dy ditësh, pra më datë 05.11.2018, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë pas marrjes së kallëzimit penal dhe analizimit të tij, me dt. 06.11.2018 ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda , për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 1 muaji ndaj të pandehurit A.J., ku të njëjtit i është shqiptuar kjo masë”, thuhet në njoftim.