Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka konstatuar shkelje ligjore në tenderin për ndërtimin e Ambulancës së Mjekësisë Familjare, në fshatin Majac të Podujevës, raporton Llapi.info
Sipas opinionit të AKK-së, në këtë tender janë kërkuar specifika të kundërligjshme nga zyrtarët komunalë.

“Nëpërmjet këtij opinioni, Kundërkorrupsioni kërkon nga Autoriteti Kontraktues që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme drejt evitimit të shkeljeve të evidentuara lidhur me tenderin: “Ndërtimi i AMF-së në Majac” me numër të prokurimit: 615-18-7370-521 dhe me numër të brendshëm 128, në mënyrë që të respektohen dispozitat përkatëse të Ligjit të prokurimit publik nr. 04/l-092 i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-237, Ligjin nr. 05/L-068 dhe Ligjin nr. 05/L-092”, thuhet në opinion.
E për gjithë këtë, në arsyetimin e këtij opinioni thuhet se në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit Agjencia ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues (Komuna e Podujevës) për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurën e hapur, kontratë publike të llojit punë me vlerë të mesme në shumën prej 60 mijë eurosh.
Më tej, në këtë arsyetim AKK ka treguar kërkesën e cila nuk është në pajtim me ligjin për prokurimin publik, neni 69.
“Pas analizimit nga Agjencia për njoftimin për kontratë, dosjen e tenderit, paramasën dhe parallogarinë e këtij projekti, AKK ka konstatuar se tek rubrika III.2.4. Kapaciteti teknik dhe profesional është kërkuar si në vijim:
“Projektet e realizuara të (natyrës së ngjashme) në tri vitet e fundit e vërtetuar nga OE, minimum i kontratave 2 në vlerë minimum 90 mijë euro. Kjo kërkesë për të cilën AKK konsideron se nuk është në pajtim me dispozitat e ligjit në fuqi për prokurimin publik, më saktësisht me nenin 69”, thuhet në arsyetimin e AKK-së.

Sipas AKK-së, autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të bëjë kufizimin e numrit të referencave në vlerën e caktuar. Po ashtu në këtë tender, AKK ka vërejtur edhe parregullsi tjera.
“Agjencia gjithashtu ka vërejtur se tek pjesa e paramasës dhe parallogarisë tek pika 16 punimet e ujësjellësit dhe kanalizimit tek pozicioni nr.6 dhe tek pjesa 17, punimet e instalimeve makinerike tek rrjeti i radiatorëve pika B poz, nr, 2.8.9.10, janë kërkuar tipet të jenë të prodhuesit GIACOMINI, ndërsa tek pjesa C sistemi i radiatorëve poz.nr.1 është kërkuar që radiatorët të jenë prodhim i Gjilanit. Kërkesa këto që bien ndesh me nenin 7 paragrafët 1.2.3 dhe 4 dhe nenin 28 paragrafët 2 dhe 7 të ligjit për fuqi për Prokurimin Publik”, thuhet në arsyetimin e AKK-së.
AKK konsideron se veprimet e tilla si në rastin konkret e kufizojnë konkurrencën e lirë dhe diskriminojnë operatorët ekonomik të cilët mund të bëjnë ekzekutimin e punimeve të ngjashme.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka rekomanduar që të evitohen këto shkelje, përmes njoftimit standard për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët të cilët e kanë tërhequr dosjen e këtij tenderi./Llapi.info
Më poshtë opinioni i plotë:










