Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur në një takim deputetin e Parlamentit të Gjermanisë nga radhët e CDU-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, dhe raportues për Ballkanin Perëndimor z.Peter Beyer dhe drejtorin e KAS-it për Maqedoni dhe Kosovë z.Johanes Rey.
Gjatë takimit me mysafirët nga Gjermania, kryetari Veliu i ka informuar ata për investimet e bëra në infrastrukturë dhe zhvillimin e komunës, planifikimet si dhe mundësitë për investime në të ardhmen.
Kryetari Veliu gjithashtu ka folur për bashkëpunimin e Podujevës me disa qytete të Gjermanisë, me ç’rast ka kërkuar ndihmën angazhimin e deputetit gjerman për jetësimin e nismave për bashkëpunim konkret me ato qytete.
Kryetari Veliu, në takimin e sotëm me deputetin gjerman kanë biseduar edhe për zhvillimet e përgjithshme politike në vend, me theks të veçantë për çështjen e shkëmbimit (korrigjimit) të territoreve, pasi që Podujeva është komunë kufitare me Serbinë.
“Shprehëm qëndrim të përbashkët se që çështja e kufijve nuk është temë që i duhet Kosovës në fazën e finalizimit të dialogut me Serbinë”, ka thënë Veliu.
Gjatë qëndrimit në Podujevë mysafirët nga Gjermania zhvilluan takim me përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare rinore dhe një drekë pune me shefat grupeve të këshilltarëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës./Llapi.info









