Lokale - eSIMy

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot në forumin e sigurisë në Beograd foli rreth raporteve me Kosovën dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve.

“Ne do të mbështetemi tek marrëveshjet e Brukselit dhe i kemi përmbushur të gjitha që janë arritur atje, ndërsa e njëjta gjë nuk ka ndodhur edhe me palën tjetër”.

“E dija që nuk do të ishin të gatshëm të bëjnë atë për të cilën kanë nënshkruar, dhe për këtë kemi filluar të diskutojnë për të gjetur zgjidhje në mes të serbëve dhe shqiptarëve, diçka që do të jetë e dhimbshme për të dyja palët, por ndryshe nuk mund të arrihet një kompromis”.

“Liderët në Kosovë vazhdimisht kanë lëshuar deklarata që i rrisnin pritjet për shqiptarët, ndërsa unë e bëja të kundërtën me popullin tim dhe për këtë edhe kritikohesha”.

“Gjithmonë do të jem i gatshëm që të gjej zgjidhje në mes të dy popujve. Na duhet gjetur zgjidhja, pa marrë parasysh sa kohe do të zgjasë, me muaj apo vite. Bëra gjithçka që duhej për shtetin tim, këtë ia kam borxh Serbisë dhe luftoj për paqe në këtë rajon. Këtë kanë nevojë edhe serbet edhe shqiptarët, dhe nëse do të jemi të gatshëm që gjejmë zgjidhje, atëherë ajo do të ishte një motor i rritjes europiane dhe shpresoj që njerëzit do të jenë në gjendje ta kuptojnë këtë. Unë do të jem gjithmonë i gatshëm”, deklaroi Vuçiq, njofton Klan Kosova.

I pari i Serbisë foli po ashtu edhe rreth Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar faktor kyç në shumë çështje të rëndësishme për rajonin.

“Të flasim hapur, amerikanët tani të paktën kanë filluar të na dëgjojnë, por tek çështja e Kosovës jemi në anët e ndryshme. Ata janë superfuqi, në jemi vend i vogël, pra nuk kam pritshmëri të mëdha”.

“Arritja e zgjidhjeve në rajon është e pamundur pa BE-në, Rusinë dhe SHBA, pra kemi nevojë për amerikanët që të përkujdesen për çështjet e rëndësishme për ta ruajtur stabilitetin dhe paqen”, përfundoi presidenti serb.