Qendërmbrojtësi i Maltës, Andrei Agius e ka cilësuar përfaqësuesen e Kosovës si ekip shumë të fortë, por është shprehur i bindur se përfaqësuesja e tij mund të nxjerr pikë të enjten në Prishtinë.
Të frymëzuar nga barazimi 1 me 1 kundër Azerbajxhanit, lojtarët e Maltës po synojnë të vazhdojnë me mbledhjen e pikëve në Grupin D3 të Ligës së Kombeve të cilit i prin Kosova, transmeton Koha.net.
“Mendoj se ky ekip [i Maltës] mund të nxjerrë pikë ndaj çdo kundërshtari të grupit”, ka thënë Agius.
“Duke filluar me ndeshjen në Prishtinë, e dimë se Kosova ka ekip shumë të fortë. Për mendimin tim ata janë favoritë për të kryesuar grupin sepse kanë top-lojtar”, ka thënë qendërmbrojtësi, transmeton Koha.net.
Gazeta Times of Malta e ka cilësuar Kosovën si ekip të fortë që për kah cilësia është dashur të jetë në grupin C dhe jo në rangun më të ulët të Ligës së Kombeve.
Ajo shkruan se Kosova synon kalimin në Ligën C dhe të vazhdojnë betejën për të siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të vitit 2020.
“Qëkur janë pranuar në organizatat ndërkombëtare, përfaqësuesja pozicionohet në vendin e 95 të ranglistës së FIFA-s dhe kanë pasur mundësi të ftojnë lojtarë që kanë luajtur me përfaqësuese tjera siç është Samir Ujkani që ka luajtur për Shqipërinë dhe Valon Berisha që ka luajtur për Norvegjinë”, shkruan Times of Malta.
“Lojtarë të tillë kanë krijuar ekip që mund të konsiderohet se është cilësor sa për të luajtur në Ligën C sesa në Ligën D”, shkruan ajo.
Ndërsa Agius duke folur për shanset e Maltës kundër Kosovës, ka thënë se është në dijeni për rrezikun që mund të shfaqë Kosova, por ka parë dobësi te kundërshtarët.
“Kosova është ekip shumë i fortë me lojtarë që luajnë në ligat më të forta të Kontinentit të Vjetër”, ka thënë mbrojtësi.
“Analizat tona tregojnë se ata sulmojnë si ekip dhe lënë hapësira në krahë. Do të thotë se duhet të jemi të saktë në këtë pjesë”, ka thënë veç të tjerash ai.






