Lokale - eSIMy

Iniciativa qytetare Orllan dhe OJQ “Sundimi i Demokracisë” në bashkëpunim me banorët e Orllanit me rrethin kanë protestuar me moton ‘Mjaft me rrënime, duam investime’ në të cilën kërkojnë ndërprerjen e rrënimeve pa plan afër liqenit të Batllavës, njofton Llapi.info

Kjo protestë është bërë me qëllim të parandalimit të përpjekjeve të Ministrisë e cila, sipas tyre, po ndikon edhe në shpërnguljen e banorëve nga ky vend.

Kryetari i OJQ-së “Sundimi i Demokracisë Fillon Këtu”, Rexhep Zeka, në një fjalë rasti ka thënë Orllani me fshatrat përreth kanë dhënë shumë dëshmorë për liri.

“Orllani kohë më parë ka qenë komunë me mbi 30 mijë banorë. Shtyllë ekonomike ka qenë kooperative bujqësore, Orllanit i është marrë e drejta e të qenit komunë dhe e futën nën administrimin e komunës së Podujevës. Orllani me fshatra përreth kanë dhënë shumë dëshmorë për liri. Orllani me fshatra përreth kanë mbetur të pa zhvilluara, pa infrastrukturë, energji elektrike, mbyllja e shumë shkollave, ri rezultat i këtyre erdhi edhe shpërngulja e banorëve”, ka thënë Zeka.

Më tej, Zeka ka kërkuar nga MMPH t’i ndalojnë rrënimet që kanë filluar afër liqenit të Batllavës.

“E vetmja mundësi ekzistence për këtë banorë mbeti zhvillimi i turizmit, disa individë hapen lokale e punësuan banorë. Por, tani goditja e tyre erdhi tani me shuarjen e bizneseve me rrënimin e objekteve e cila i detyron edhe këta banorë të shpërngulen. Orllani nga i cili Komuna e Podujevës mbledhi qindra mijëra euro, kurrë nuk u investuan për të. Andaj, mjaft me rrënime, duam investime. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Komuna e Podujevës, KEK-u e Ujësjellësi Rajonal Prishtina të gjitha këto shfrytëzojnë resurset tona dhe bëhen bashkë vetëm kur është fjala për të rrënuar. Por, banorët nuk do t’i lejojnë këto rrënime”, ka thënë tutje Zeka.

Edhe banorët tjerë të këtij fshati, kanë kërkuar të jenë të lirë, duke kërkuar që të mos rrënohen objektet, por të investohet në këtë pikë turistike.

“Le të vijnë institucionet dhe të shikojmë çfarë planesh kanë, por ligjet të cilat na prekin banorët nuk do t’i lejojmë dhe nuk do të kalojnë të dinë të gjithë”, ka thënë Fahri Hoxha, banor i këtij fshati.

Ndryshe, protesta ka përfunduar në mënyrë paqsorë ku të pranishëm kanë qenë edhe policia./Llapi.info