Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk e ka pranuar dorëheqjen e ofruar një ditë më parë nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ai e ka vlerësuar lartë kontributin dhe angazhimin e ministrit Tahiri për të cilin raportohet se ka kërkuar që të lirohet nga detyra e tij prej kryesuesit të sistemit të drejtësisë, njofton Klan Kosova.

”Abelard Tahiri është ende ministër, ende s’është definitive dorëheqja e tij. Dje nuk e kam pranuar dorëheqjen e Abelard Tahirit”.

”Kam pritur që të konsultohem me Kreun e PDK-së, Kadri Veselin, dje kam pasur një takim edhe sot pritet ta kem një. Abelardi është një ministër i respektuar në Qeveri”.

I pari i Qeverisë së Kosovës, më tej ka thënë se ende nuk e di nëse kërkesa e Abelard Tahirit për dorëheqje ka lidhje me shoqërimin e presidentit Hashim Thaçi në vizitën e tij të fundit në Veri, njofton Klan Kosova.

”Biseda për dorëheqje me zotrin Abelard Tahiri ishte vetëm gojore, ende nuk kam pranuar shkresën. Ai ka thënë se ka argumente të shumta për dorëheqje”.

”Nuk e di, ajo çfarë dimë është se ministri Tahiri ka qenë bashkëpunëtor i zotrit Thaçi. Në punë ministri Tahiri ka qenë kompetent. Sidoqoftë vendimet janë të partive politike”.