Në seancën e rregullt në Kuvendin Komunal është miratuar buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2019, njofton Llapi.info
Lidhur me propozimin e vendimit për miratimin e projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021, këshilltarët i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili tha se për vitin 2019 buxheti i Komunës do të jetë 22.032.619 euro.
Miratimin e këtij buxheti nuk e kanë përkrahur partitë opozitare në Podujevë. Kështu LVV e kundërshtoi, ndërsa PDK abstenoi.
Këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Lirika Maliqi, ka bërë një varg vërejtjesh e sugjerimesh për Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019, njofton Llapi.info
Maliqi në emër të grupit parlamentar të VV-së, ka thënë se buxheti i komunës së Podujevës pjesën më të madhe është i dedikuar drejtorisë së Urbanizimit dhe Shërbimeve Publike. Sipas saj, me buxhetin e Komunës së Podujevës manipulohet me asfalt.
“Nuk është rastësi që pjesa më e madhe e buxhetit ose rreth 75 për qind i dedikohet drejtorisë së urbanizmit dhe asaj të shërbimeve publike. Është e qartë që manipulimet me buxhet bëhen pikërisht në asfalt. Ky fakt përforcohet ende më shumë kur e shikojmë detajisht hartimin e projekteve në drejtorinë e urbanizmit dhe shohim përshkrime të tilla si “asfaltimi i disa rrugëve, ndërtimi i disa rrugëve”, e ku nuk dihet fare se cilat janë ato rrugë”, ka thënë fillimisht ajo.
Këshilltarja Maliqi, më tej ka shtuar se projektet e planifikuara në arsim janë sipërfaqësisht. Kurse, për shëndetësi Maliqi ka thënë se nevojat e qytetarëve janë më të larta se ato që janë planifikuar.
“Për gjendjen e arsimit në komunën tonë tregon më së miri buxheti i projektuar për këtë drejtori dhe projektet e planifikuara. Në asnjë projekt nuk është përfshirë të paktën furnizimi i një shkolle me një kabinet të vetëm, asnjë investim në teknologjinë digjitale. Projektet e planifikuara për arsim janë sa për sy e faqe dhe të përmasave qesharake. Në shëndetësi furnizimi me pajisje mjekësore me një shumë prej 70,000 eurosh është i papranueshëm duke i ditur nevojat e qytetarëve. Investimet minimale në këtë sektor me rëndësi të jashtëzakonshme i detyron banorët e komunës tonë që për komplikime të vogla dhe për çdo shërbim më shumë se një injeksion, të ju drejtohen ordinancave private”, ka thënë Maliqi.
Sipas Maliqit, investimet në bujqësi duhet të jenë më të larta duke ivestuar në kapacitetet përpunuese.
“Sektori i bujqësisë duhet të ishte me prioritet shumë të lartë dhe të mbështetej fuqishëm me së paku dyfishin e buxhetit që i është ndarë për grande dhe subvencione, në mënyrë që fermerët të fuqizohen dhe të bëhen të barabartë me fermerët në regjion. Duhet të investohet në kapacitetet përpunuese me theks të veçantë përpunimi i mjedrës, problem ky shqetësues për fermerët e kësaj zone tash e sa kohë. Punimet dhe investimet në tokat pjellore dhe shumë të përshtatshme që i ka zona jonë do të ndikonin në zvogëlimin e importimit të produkteve bujqësore dhe në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit”, ka theksuar Maliqi.
Ndryshe, buxheti i komunës së Podujevës për vitin 2019 në shumë prej 22.032.619 euro, u miratua me shumicë votash në Kuvendin Komunal./Llapi.info






