Lokale - eSIMy

Tetë familje të pastrehë do të bëhen me shtëpi të reja deri në fund të muajit tetor. Ato po ndërtohen nga Komuna e Istogut. Drejtori i SHP komunale, Enver Rugova, tregon se kjo komunë për këtë vit kishte alokuar buxhet prej 80 mijë eurosh për ndërtimin e shtëpive për familjet nevojtare.

Kësaj shumë ndërkohë i janë shtuar nga arka e Komunës edhe 3 mijë e 550 euro. “8 shtëpi janë duke u ndërtuar me madhësi prej 66.75 metrash katrorë. Janë të dedikuara për familje të pastrehë, për familjet që janë me persona të sëmurë dhe familje që kanë fëmijë bonjakë. Komisioni i ka përzgjedhur si përfituese rastet më të ndjeshme”, thotë Rugova, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, shtëpitë janë duke u ndërtuar familjeve në disa fshatra. Trojet për ndërtimin e shtëpive, siç tregon Rugova nuk ka pasur nevojë t’i siguronin, pasi secila familje e kishte tokën e vet. 4 shtëpi janë para përfundimit, kurse 4 të tjera janë në ndërtim e sipër. “Besoj që deri në fund të muajit tetor shtëpitë do të ndërtohen dhe familjet do të hynë në to”, tregon Rugova kur do të jenë të gatshme shtëpitë.