Lëvizja Vetëvendosje, nesër në Prishtinë mban protestë nën moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” e cila organizohet kundër Presidentit, Hashim Thaçi dhe idesë së tij për shkëmbimin e territorit me Serbinë në fazën e fundit të dialogut, raporton Llapi.info
Për protestën e 29 shtatorit edhe LVV në Podujevë ka mbajtur tubime për t’i informuar ata për rëndësinë e kësaj proteste. Kështu ka thënë për Llapi.info sekretari organizativ i VV-së në Podujevë, Bahri Selimi.
“Lëvizja Vetëvendosje gjatë periudhës kohore prej shpalljes së datës së protestës ka organizuar një numër të madh tubimesh me qytetarë, tubimet kryesisht kanë qenë të formës bashkëbiseduese me qëllim të kuptimit sa më të mirë për rëndësinë e protestës. Qytetarët janë njoftuar fillimisht për gjendjen e rëndë dhe të rrezikshëm në vend prandaj edhe janë ftuar për protestë”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, interesimi i qytetarëve llapjanë për këtë protestë ka qenë shumë i madh.
“Interesimi i llapjanëve për protestë duket të jetë shumë i madh me sa kemi vërejtur në takimet e organizuara me qytetarë”, ka thënë më tej ai.
Selimi ka shtuar se tashmë janë bërë edhe përgatitjet për transportin e qytetarëve për protestën e nesërme.
“Përgatitjet kanë përfunduar dhe tashmë jemi të gatshëm për të bërë edhe transportin e qytetarëve të interesuar për protestë, kemi organizuar autobus të cilët do të nisen nga Orllani në ora 11:30, nga fshati Pollatë në ora 11:30 dhe nga Stacioni i Autobusëve në Podujevë nga ora 12:00. Kurse, orari i autobusëve është caktuar në bazë të kërkesave të qytetarëve”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë, për protestën e thirrur nga LVV edhe Policia e Kosovës në një komunikatë për media ka bërë të ditur se me kohë janë bërë përgatitjet e nevojshme.
“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, përmes përfaqësuesve të saj ditë më parë ka realizuar një takim me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, e që është qëllim primar i Policisë së Kosovës”, thuhet pos tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës./Llapi.info






