Prokurorja e lëndës së Dafina Zhubit, Fitore Sadikaj, përmes një reagimi publik ka sqaruar se ekspertiza e bërë në Zvicër për Zhubin konstaton se ajo është vetëvrarë. Kosovarja që kishte nënshtetësi zvicërane u gjet e vdekur rreth dy vjet më parë në një banesë në Prishtinë
“Njoftojmë opinionin publik se për rastin e vetëvrasjes së Dafina Zhubi është kthyer super-ekspertiza e dërguar në Institutin mjeko-ligjorë në Zvicër dhe është konstatuar dhe ri-konfirmuar se rasti ishte vetëvrasje. Me këtë janë vërtetuar ekspertizat e parë dhe konstatimet e prokurorisë në këtë rast të cilësuar si Vetëvrasje”, njofton prokurorja.
Më poshtë mund të lexoni edhe pjesë tjera të reagimit të prokurores Sadikaj:
Shprehi shqetësimin dhe reagimin tim personal si prokurore e rastit dhe të Prokurorisë së Shtetit për gjykimet dhe vlerësimet publike abuzive të bëra nga individ dhe media të ndryshme lidhur me këtë rast duke e cilësuar si vrasje, pa u mbështetur në argumente ligjore dhe profesionale-mjekësore. Konsideroj së kjo ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë profesionale të Prokurorisë dhe punën time, si dhe ndikim i drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Jemi etiketuar unë dhe familja si dhe prokuroria në mënyrat më abuzive në opinionin publik.
Përmes, kësaj shkrese kërkoj publikisht që të ndalen presionet, shantazhet dhe fyerjet ndaj prokuroreve të shtetit dhe të ruhet pavarësia e sistemit të drejtësisë.
Ndaj, personave, mediave që kanë bërë presione të ndryshme, shantazhe, fyerje dhe shpifje publike, do ti përdorim të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar përgjegjësi ligjore ndaj kryerësve të këtyre veprimeve, kompensimin e dëmit personal si dhe ruajtjen e pavarësisë së prokurorit të shtetit.






