Lokale - eSIMy

Në Kuvendin Komunal është miratuar me shumicë votash Projektbuxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2019, raporton Llapi.info

Lidhur me propozimin e vendimit për miratimin e projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021, këshilltarët i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili informoi se për vitin 2019 buxheti i Komunës do të jetë 22.032.619 euro.

Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së e ka përkrahur, Adnan Zymeri, i cili tha se më 2019 fillon njëri ndër projektet më madhore të planifikuara.

“Shuma e buxhetit të Komunës së Podujevës është 22 milionë euro, nga dy burime: Grandi Qeveritar 20 milionë dhe nga të hyrat vetanake rreth 1.5 milionë euro. Ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore të planifikuara së realizuari për vitin 2019, është ndërtimi i bulevardit dhe sheshit të dëshmorëve”, ka thënë Zymeri.

Në lidhje me ndërtimin e këtij sheshi këshilltari, Arbër Blaku nga PDK kërkoi projektin për të parë se si do të ndërtohet ky shesh i cili sipas tij, kushton 800 mijë euro.

“Ndërtimi i bulevardit në sheshin e dëshmorëve po lypen nja 800 mijë euro. A është nis hala diçka se ne nuk po shohim asgjë. A mundemi të shohim një projekti se qysh keni vendos me ndërtu se po i lypni paret. Projektin është dashur të vendoset në një projektor me pa për çfarë po i lypni paret për këtë shesh”, ka thënë Blaku, por që nuk mori ndonjë përgjigje në lidhje me këtë edhe pse i adresoi pyetjet tek drejtorët përkatës.

Mirëpo, këtë buxhet e kundërshtoi haptas Lëvizja Vetëvendosje. Kurse, miratim e këtij buxheti grupi i këshilltarëve nga Partia Demokratike e Kosovës e abstenoi.

Në emër të grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lirikë Maliqi, ka bërë vërejtje në projektin e buxhetit të propozuar për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021 duke thënë se nuk është planifikuar si duhet. Sipas saj, nuk ka specifikim për kode buxhetore te investime kapitale.

Ndërsa, këshilltarja Floretë Zejnullahu, në emër të Grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka adresuar vërejtje në projektbuxhetin e propozuar, duke thënë se buxheti për investime kapitale është i lartë krahasuar me buxhetin për sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës e bujqësisë. Sipas Zejnullahut, buxheti i komunës së Podujevës nuk është i orientuar siç duhet./Llapi.info